Analistët nga Kosova dhe Maqedonia u kanë bërë thirrje zyrtarëve në Shkup që në ndërtimin e raporteve me Kosovën të mos influencohen nga Beogradi zyrtar.
Një apel të këtillë në tribunën e organizuar nga Forum Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Dokumentim në Shkup e kanë bërë analisti kosovar, Yll Hoxha, dhe analisti nga Maqedonia, Gjuner Ismail.
Drejtori i klubit për politikë të jashtme të Kosovës, Yll Hoxha, ka vlerësuar se edhe loja që ndodhi me mosftesën e presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë, George Ivanov, ka qenë në ndikim të Serbisë.
Yll Hoxha: “Është një raport ku mund të sjellim humbje të ndërsjellë. Maqedonia dhe Kosova me fillim krize i shkaktojnë humbje njëra-tjetrës dhe kjo humbje e ndërsjelltë bëhet vetëm nga një politikë e papërgjegjshme dhe assesi nga një politikë e përgjegjshme”.
Ndërkaq analisti nga Maqedonia, Gjuner Ismail, ka kërkuar nga Shkupi zyrtar që të tregojë më tepër guxim për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën.
Ai ka theksuar se ruajtja e imunitetit të Kosovës ka rëndësi kombëtare për maqedonasit.
Gjuner Ismail: “Maqedonasit patjetër duhet ta kuptojnë se uniteti i Kosovës është çështje me rëndësi të nivelit të njëjtë me atë që kemi lidhur me problemin e emrit.”
Bosnja e Detonit, Kosova, Maqedonia, Sanxhaku, Serbia Jugore janë rajonet e fundit neuralgjike në hartën e Evropës.
Çfarëdo lloj krize në ndonjërën nga këto rajone mund të shkaktojë dëmin në efekt. Hoxha dhe Ismail kanë vlerësuar se nëse Shkupi vazhdon të lëshojë pe para presionit të Beogradit kjo do të shkaktojë ftohje të mëtutjeshme të raporteve Kosovë-Maqedoni. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu