Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në Kosovë, në vizitën e tij të parë që pas shpalljes së pavarësisë.
Pas takimit kokë më kokë me kryeministrin Hashim Thaçi, në konferencën e përbashkët për shtyp të dy liderët afirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes tyre dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre në të ardhmen evropiane.
Thaçi garantoi se nisja e punimeve për ndërtimin e autostradës historike Morinë-Prizren-Prishtinë është çështje ditësh.
Hashim Thaçi: “Sot prita në Kosovë arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri. Realizuesin e projektit të ëndrrave të qytetarëve e shqiptarëve në ndërtimin e autostradës Durrës-Morinë, edhe në tani po numërojmë ditët për ndërtimin e autostradës Morinë- Prizren-Prishtinë.”
Kryeministri Berisha përgëzoi arritjet e Kosovës 20 muaj që nga shpallja e pavarësisë.
Sali Berisha: “Ajo çka me impresionon është fakti se si luftëtarët e lirisë, po ndërtojnë me përkushtimin më të madh vlerat për të cilat ata luftuan. Në 20 muaj këtu në Kosovë po vendosen disa standarde të cilat do ti kenë lakmi të gjitha vendet tjera.”
Duke theksuar se kombi shqiptar në historinë e tij ka kaluar shumë situata të pamerituara, Berisha nënvizoi se objektivi i të gjitha vendeve të rajonit duhet të jetë kapja e orës evropiane.
Ai përmendi marrëdhëniet e mira me Malin e Zi dhe Maqedoninë dhe ftoi Serbinë të bashkëpunojë sepse sipas tij …
Sali Berisha: “Fobia nuk shërben ndaj askujt. Ne histori kemi kaluar shumë gjëra, shumë të pamerituara, por kompleksiteti i saj na ka çliruar nga komplekset. E gjithë lufta dhe përpjekja e shqiptarëve kudo që janë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo është që të kapim orën evropiane. Kjo e ardhme ndërtohet në kuadrin e një bashkëpunimi të ngushtë dhe të gjithanshëm me miqtë tanë në rajon dhe kudo në botë. Nuk mund të mohohet se në disa aspekte në rajon ora është mbrapa. Radhët e gjata që shihen në pikat tona kufitare në tërësi janë jashtë kohe ndaj dhe është në detyrën e qeverive të gjejnë format më praktike, më lehtësuese për fluksin e pandalshëm të njerëzve dhe mallrave.”
Një prej hapave është përdorimi i portit të Shëngjinit që sipas Berishës është dalja në det për Kosovën. Kryeministri sqaroi se së shpejti do të nisin projektet për ndërtimin e linjave hekurudhore jo vetëm me Maqedoninë, por dhe me Kosovën.
Po ashtu Berisha premtoi se do të përfundojë rruga Qafë-Morinë-Shkodër, për lidhje të vazhdueshme me pjesën perëndimore të Kosovës.
I pyetur mbi çështjen e bashkimit kombëtar dhe të ardhmes Evropiane të dy vendeve Berisha dhe Thaçi garantuan se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme por një komb i pandarë në shpirt dhe identitet.
Sali Berisha: “Kombi është një dhe i pandarë në shpirtin dhe identitetin e tij. Nuk keni dëgjuar dhe nuk mund të dëgjosh ndonjëherë të bëhet fjalë për dy kombe shqiptare, dy kombe serbe, apo dy kombe kroate etj. Mos harro se një gjatësi të madhe të kufirit Shqipëri-Kosovë ka patur klon, tela me gjemba. Sot ideali kombëtar shqiptar është ideal evropian. Shqipëria dhe Kosova janë 2 vende të ndryshme, por këto nuk janë vende të huaja për njëri-tjetrin. Këto janë vende vëllezër. Në botë dy vende që të kenë më të drejtë për … si Shqipëria dhe Kosova nuk ka.”
Hashim Thaçi: “Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ne jemi një komb. Unë e shoh të ardhmen e rajonit edhe të dy vendeve tona si të ardhme të vlerave evropiane, integruese dhe natyrisht të standardeve të BE-së, rajon pa kufi.”/tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle