Mbrojtja: Procesi, në shkelje të ligjit
Gati tre vite nga regjistrimi i dosjes në Apel, këtë të mërkurë Gjykata vendosi që procesi ndaj Emiliano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë, të vijojë edhe pa praninë e mbrojtësve ligjorë si mekanizëm për të evituar zvarritjen e mëtejshëm të gjykimit.
Seanca u zhvillua mes debateve për zgjidhjen e ngërçit që sipas Gjykatës është krijuar nga vetë të pandehurit. Por avokatët thanë se përgjegjësia për mbarvajtjen e procesit i mbetet Gjykatës dhe braktisën seancën.
Gjykata vijoi procesin pa praninë e avokatëve dhe të pandehurve që braktisën seancën, ndërsa SPAK hoqi dorë nga ankimimi për pafajësinë që mori grupi për kërcënimin e dy rektorëve dhe vendosjen e një sasie tritoli në një biznes.
Treshja gjykuese e Apelit po shqyrton ankimin e bërë nga avokatët, të cilët kërkuan pafajësi për të gjitha akuzat.
Emiljano Shullazi dhe 4 të pandehurit e tjerë të konsideruar nga prokuroria pjesë e një grupi, u dënuan në Shkallën e Parë me 54 vite burg në total për akuzat e gjobëvënies dhe grupit të strukturuar kriminal.
Procesi në Apel u regjistrua në Dhjetor të 2018, por për shkaqe që lidhen me dorëheqjet dhe largimet e avokatëve dhe mungesa e shpeshtë e mbrojtësve, gjykimi nuk nisi asnjëherë. Gjykata lajmëroi se vendimi do të jepet më 3 Dhjetor.
Tv Klan