Ish-kryeministri Sali Berisha do të duhet të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore në SPAK, dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë. Ky vendim u mor nga gjyqtari Engert Pëllumbi i Apelit të Gjykatës së Posaçme. Verdikti i dhënë nga magjistrati Pëllumbi, rrëzon vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, që e la Berishën pa masë sigurie prej datës 27 nëntor të vitit të kaluar.
Për avokatin mbrojtës, vendimi i kësaj të premte, është i paqartë, por dhe i ndikuar politikisht. I pyetur se nëse Berisha do të paraqitet në policinë gjyqësore pas vendimit, Gjokutaj tha se vendimmarrja i takon ish-kryeministrit.
Vendimi i Shkallës së Parë të GJKKO që e la Berishën pa masë sigurie, u ankimua nga dy prokurorët e çështjes Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet që gjykata ta nxirrte nga arresti shtëpiak ish-kryeministrin Sali Berisha. Dosja partizani për të cilën akuzohet Berisha, dhëndri i tij dhe 3 të pandehur të tjerë ka kaluar për gjykim. Seanca paraprake pritet të zhvillohet të hënën e ardhshme me 6 janar.
Klan News