Me nisjen e këtij vitit pensionistët udhëtojnë falas në linjat e transportit urbanë në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi me njërën prej linjave të transportit urban dhe bisedoi me udhëtarë pensionistë.
“Bashkia e Tiranës subvencionon edhe abonenë e pensionistit, për gjyshet dhe gjyshërit tanë, njësoj siç bën prej më shumë se një viti për studentët. Ky subvencionim është 16 mijë lekë (të vjetra) në muaj ose 192 mijë lekë në vit.”, tha Erion Veliaj.
Veliaj foli edhe për radhët e gjata që pensionistët duhet të prisnin për të marrë abonenë, e cila duhet të tërhiqet çdo muaj pranë pikave të shpërndarjes.
“Ka abone për të gjithë! Sa më shumë të tërhiqen, aq më shumë do bëjë rimbursim bashkia. Nuk ka nevojë as të presim në radhë, as të dalim herët në mëngjes. E di që gjithmonë gjërat e reja zgjojnë kërshëri dhe kemi merakun se mos mbarojnë, por është pa limit”, shtoi kryebashkiaku.
Kryebashkiaku u bëri thirrje pensionistëve, të cilët nuk janë regjistruar ende të shkojnë te njësia administrative, të regjistrojnë emrin dhe pasi futen në sistem, automatikisht u del emri në listë për të tërhequr abonetë falas çdo muaj. Në kryeqytet janë 177 mijë pensionistë.
Klan News