Avokatët e ish-kryeministrit paralajmërojnë rekurs në Gjykatën e Lartë
Lideri i opozitës Sali Berisha do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie. Gjykata e Posaçme e Apelit miratoi masën e sigurisë për ish-kryeministrin, caktuar më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Me këtë vendim, Apeli rrëzoi pretendimet e mbrojtjes për paligjshmëri të vendimit të dhënë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Pas vendimit avokati Genc Gjokutaj, tha se Apeli konfirmoi izolimin politik të Berishës.
“As më shumë e as më pak, Gjykata e Apelit vërtetoi që u dekriptua përfundimisht qëllimi politik i mbajtjes në izolim të zotit Berisha.”
Mbrojtja e ish-kryeministrit paralajmëroi se do të bëjë rekurs në Gjykatën e lartë.
“Do të rekursohet vendimi i Apelit.”
Deri në përgjigjen e Gjykatës së Lartë, ish-kryeministri Berisha do të vijojë të jetë i izoluar.
Avokatët ankimuan vendimin me argumentet se masa është e panevojshme dhe e marrë në kundërshtim me ligjin, pasi Shkalla e Parë shpalli vendim pa shqyrtuar më parë kërkesën e tyre për përjashtim të gjyqtares Irena Gjokës.
Ndërkohë, SPAK thotë se ish-kryeministri duhet të qëndrojë në “Arrest shtëpie” sa kohë nuk iu bind një vendimi të parë të Gjykatës, si dhe për shkak të rëndesës së veprës penale. Sipas Prokurorisë ish-kryeministri është përfshirë në korrupsion në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani “ bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Këto akuza janë mohuar nga Berisha dhe Malltezi, të cilët i konsiderojnë politike.
Klan News