Videoja e Kryeministrit Rama në 1 Janar, ku përmes inteligjencës artificiale kreu i qeverisë shfaqej përkrah Ismail Qemalit, ka sjellë reagimin e Sali Berishës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha e akuzon kundërshtarin e tij politik se ka qeverisur në tre mandate me persona që vijnë nga bota e krimit, duke i emëruar ata në postet më të larta shtetërore.
“Edi Rama ka zgjedhur të shoqërohet dhe të shëtisë me “Ismail Qemalin”, por vetëm në botën virtuale. Sepse, në botën reale ai shoqërohet me hajdutë, me banditë dhe trafikantë. Ata, ai i ka futur në qeveri, i ka futur në parlament, i emëron në postet ndër më të lartat. Të tjerëve u jep lejet e kullave, i shpall investitorë strategjikë, duke ndarë me ta fitime të mëdha. Dielli me shoshë nuk mbulohet”, thotë Sali Berisha.
Deklarata e kreut të demokratëve vjen një ditë përpara se ai të paraqitet në SPAK pasi Gjykata e Posaçme e Apelit riktheu masën “detyrim paraqitje” me prezencë dy herë në muaj për ish-Kryeministrin.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka ftuar mbështetësit e saj, sikundër ka ndodhur edhe më herët që të protestojnë përpara ambjenteve të SPAK-ut.
Tv Klan