Arqile Bollano është zgjedhur kryetar i komanduar i Bashkisë së Himarës. Zgjedhja e tij u bë pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak këtë të premte. Për të votuan pro 12 anëtarë.

Kandidati tjetër, Pervin Gjikuria, u tërhoq nga gara gjatë mbledhjes së këshillit. Zgjedhja e Bollanos vjen pasi Blerina Bala dha dorëheqjen nga roli i kryetares së komanduar dy ditë më parë.

“Kemi goxha punë për të bërë dhe nuk ka vend për llafe. Ka vend vetëm për punë. Këtë e kërkoj nga të gjithë që të jemi në një vijë. Kemi sezonin turistik, kemi për të pastruar, kemi shumë gjëra që vizitorët kur të vijnë në Himarë të vijnë me kënaqësinë më të madhe. Pavarësisht kundërshtimeve vij me një përgjegjësi të madhe që kjo do të tregohet në vazhdimësi. Unë do bëj punën time që më takon”, tha ai për gazetarët sapo mori detyrën e re.

Kjo situatë në Himarë vjen si rrjedhojë e dy kryetarëve të Bashkisë të cilët ndodhen pas hekurave. Pas kryetarit të zgjedhur Fredi Beleri, edhe ish-kryetari në detyrë Jorgo Goro u arrestua për shpërdorim detyre./tvklan.al