Kreu i Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simoni, është arrestuar. Sipas burimeve të gazetares atij i është komunikuar masa e arrestit në spitalin e Traumës, aty ku është shtruar që dje pasi u plagos me armë.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se mes administratorit dhe autorit të ngjarjes, Altin Marku, ka pasur shkëmbim zjarri. Kjo pasi edhe Marku, i cili u arrestua pas disa orësh kërkimi, është i plagosur. Edhe ai është dërguar në spitalin e Traumës.

Mbi 2 të arrestuarit e kësaj ngjarjeje rëndojnë dy akuza, “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe armëmbajtje pa leje.

Policia thotë se deri më tani është sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë,  e cila dyshohet se është përdorur nga Marku si dhe dy automjete. Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.

Administratori Simoni ka marrë 3 plumba pistolete. Zyrtarisht policia ka thënë se ngjarja u regjistrua pas një sherri që dyshohet të ketë nisur në zyrën e Njësisë Administrative mes Simonit dhe Markut.

Ky i fundit dyshohet se pas konfliktit verbal, e ka ndaluar në rrugë zyrtarin dhe më pas e ka qëlluar atë disa herë./tvklan.al