Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e Shkodrës ka arrestuar një person, si autori i vjedhjes së dy javëve më parë në qendrën e lotarive amerikane në këtë qytet. L. P. 22 vjeç, kishte hyrë natën në zyrat e kësaj qendre, duke shembur një mur anësor të godinës. Pasi ka marrë një kompjuter dhe sende të tjera, personi është larguar, duke lënë dhe një shënim në formë parulle, kundër Amerikës dhepro fesë islame, si dhe duke grisur një flamur amerikan që ndodhej në këtë zyrë.

Pas punës operative të policisë kriminale dhe zyrës rajonale anti-terror është arritur të identifikohet shtetasi grabitës, duke i gjetur në banesën e tij edhe objektet e vjedhura. Në lidhje me shënimin e lënë, personi është shprehur, se parullat anti-amerikane i ka shkruar për të humbur gjurmët e vjedhjes.

Policia e Shkodrës ka dërguar shënimin e lënë në vendngjarje në laboratorin qendror të kriminalistikës, për të bërë ekzaminimin me qëllim vërtetimin, se shkrimi koencidon me atë të personit që merr përsipër këtë vepër./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj