Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i klubit të futbollit Vllaznia, ka bërë denoncimin në polici, pasi dy persona kanë qëlluar me armë në ajër, ndërsa ai kthehej nga Shkodra për në Bajzë në banesën e tij. Myftar Çela sipas policisë së Shkodrës, ka pohuar se dy vëllezërit Lulzim dhe Luan Hasani, kanë qenë të pajisur me një pistoletë dhe kanë qëlluar disa herë në ajër në afërsi të Koplikut, ndërsa ai udhëtonte me automjetin e tij.

Nuk bëhet fjalë për plagosje apo dëm material, por uniformat blu thanë, se këta dy persona kanë dashur të trembin presidentin e klubit të futbollit të Vllaznisë, i cili njihet edhe si një nga biznesmenët kryesor në rrethin e Shkodrës dhe në rrethet e veriut. Motivi i kësaj ngjarje ka lidhje me një aksident të ndodhur rreth 1 vit më parë.

Myftar Çela mësohet të ketë përplasur me automjetin e tij, makinën e dy vëllezërve, duke e dëmtuar atë. Gjithnjë sipas burimeve të policisë, gjatë periudhës në vazhdim, të dy palët nuk kanë rënë dakord për dëmshpërblimin, pasi Çela nuk ishte i gatshëm të paguante shumën e kërkuar nga vëllezërit Hasani. Këta të fundit janë shpallur në kërkim nga policia dhe ndaj tyre deri tani rëndon akuza e kanosjes me armë./tvklan.al