Ky është momenti i arrestimit të Ilir Metës. Ai është ndaluar nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit pranë mbikalimit të Kamzës teksa kthehej nga Kosova.
Siç kuptohet dhe nga pamjet, fillimisht kryetari i Partisë së Lirisë ka kundërshtuar arrestimin duke bërë rezistencë. Pas disa sekondash ai është nxjerrë me forcë nga agjentët e BKH-së, të cilët e shoqëruan drejt makinës së tyre.
“Ilir Meta mbërriti në Drejtorinë e Policisë së Tiranës rreth orës 13:30, vend në të cilin qëndroi rreth 1 orë e 30 minuta,” raporton gazetari Besart Bajraktaraj.
I pari mbërriti Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili e cilësoi arrestimin një akt terrorist.
Pas Blushit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mbërriti avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj, i cili deklaroi se i janë ngritur 3 akuza: Korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pas përfundimit të takimit me avokatin, Ilir Meta është dërguar në bllokun e sigurisë në kryeqytet që ndodhet në rrugën Mine Peza.
Klan News mëson se urdhri i arrestit është dhënë nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Sotir Kllapi dhe janë aprovuar nga gjyqtari Erjon Çela.
Klan News