Prokuroria e Posaçme ka hetuar prokurorë e gjyqtarë të shkarkuar dhe në fokus ka punën e atyre që janë ende në sistem.
Kështu u shpreh kreu i SPAK Altin Dumani, i cili ishte i pranishëm në një konferencë të mbajtur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
“Shqetësimi më i madh në vlerësimin e institucionit që unë drejtoj nuk janë subjeketet shkarkuara, por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vijojnë të ushtrojnë detyrën në Shkallë të Parë apo në Apel. Fokusi jonë është kjo pjesë. Ky është shqetësimi më i madh sepse ata vijojnë të jenë në sistem”.
Numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar që janë vënë nën hetim pas procesit të vetingut e konsideroi të lartë.
“Ne nuk kemi qenë të verbër apo të shurdhër në raport me vendimet e organeve të vettingut. Ne kemi regjistruar procedime penale me iniciativën tonë. SPAK ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë, anëtarë të KPA, prokurorë, oficerë të Policisë Gjyqësore. Kemi një numër të madh subjektesh për të cilët kemi ushtruar ndjekjen penale për korrupsionin pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Do të vazhdojmë ta bëjmë sa herë të kemi të dhëna që jemi para një vepre penale”.
Në konferencën e KSHH-së u bënë të njohura të dhënat e monitorimit 1-vjeçar të kryer për aktivitetin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Tv Klan