Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Policia shqiptare arrestoi tre persona të tjerë si bashkëpunëtorë të një të dyshuari si trafikant droge, i cili u kap dje sapo kaloi pikën kufitare të Kakavijës. Edmond Rizai 23 vjeç, u arrestua në tokën greke, ndërsa në serbatorin e automjetit me targa të Athinës që ai drejtonte u gjetën sipas Ministrisë së Rendit mbi 7 kg heroinë.
Pas prangosjes së Rizait, i cili është emigrantë në Greqi, u arrestua në Fier Edmond Hasanaj 22 vjeç, Agim Hasani 33 vjeç, Kastriot Shameti 42 vjeç, pronar i një servisi në Patos të Fierit dhe mekanik në drejtorinë e policisë së këtij qarku. Lidhur me faktin se personi i kapur me drogë nga pala greke kaloi i pa probleme, përmes pikës kufitare të Kakavijës, zëdhënësi i Ministrisë së Rendit argumentoi, se homologët grekë kanë mjete më të sofistikuara.
Florion Seriani:- “Pala greke është e pajisur më mirë, si nga ana logjistike, ndërsa ne po bashkëpunojmë ngushtë me palën greke, për të zbuluar rrjetin dhe për të bërë të mundur goditjen e tij”.
Ndërkohë mësohet se në orët e para të mëngjesit është kryer një aksion për kapjen e mjeteve lundruese të paligjshme. Policia kufitare e Vlorës, në bashkëpunim me Delta Force, kanë bllokuar dy gomone, por nuk janë kapur pronarët e tyre, ndonëse janë ndjekur nga policia për më shumë se një orë në det. Aksioni u krye në grykëderdhjen e lumit Vjosë./tvklan.al