Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Policia nuk ka hyrë në Lazarat një ditë pas ngjarjes së rëndë me një helikopter të zyrës së ndërlidhjes së policisë italiane. E vetmja masë që është vënë re është qarkullimi i forcave speciale të Dragotit, që lëvizin në rrugën nacionale përball fshatit Lazarat. Ndërsa në qendër të fshatit gjithçka është e qetë. Viktima e vetme e kësaj ngjarje është tashmë jashtë rrezikut për jetën dhe tregon momentin e plagosjes.

“Zhurmë kish, zhurma e alikopterit, zhurma e kallashnikovëve, ku merrej vesh se si u pleks atje. Pasi qëlloi, në atë kohë vështrova që më erdhi kështu nga kreu i fshatit, u ul në atë kohë dhe thashë, do ta vrasin të shkretin, ç’është ky shejtan. Thonë sikur kanë qëlluar në atë kohë, ku di unë s’di gjë”.

Pas deklaratës së Ministrisë së Rendit ku thuhej, se fshatarët kanë qëlluar mbi helikopterë që thjeshtë po patrullonte mbi fshat, banorët e Lazaratit kanë reaguar duke thënën të kundërtën.

Dasho Aliko: “Aty ata provokojnë duke gjuajtur dhe krijojnë një terren tepër të acaruar në Lazarat. Njerëzit duke parë që ata gjuanin nga sipër munduan të ruheshin nëpër mure, nëpër shtëpira, aty pati dhe një të plagosur, pati disa mjete të dëmtuara dhe sidomos një Xhip tip i ri, janë hapur vrima nga sipër, pati bagëti të ngordhura dhe një panik i jashtëzakonshëm tek fëmija gratë edhe pleqtë. Në alikopter ishin 8 veta, 4 nga njëri krah dhe katër nga krahu tjetër, ata kaluan direkt tek shtëpia ime, bën disa xhiro, mbi bahçenë dhe mbi shtëpinë time, unë isha shumë afër, nga ballkoni i shtëpisë time unë isha në një drejtim thuajse me ta dhe u flasë ça bëjnë dhe në këtë moment ata më drejtojnë armën”.

Ministria e Rendit vazhdon të mohojë versionin e kryetarit të komunës mbi ngjarjen.

Florion Seriani: “Grupi hetimor i ngritur nën drejtimin e prokurorisë së rrethit Gjirokastrës është duke shqyrtuar të gjitha provat që vërtetojnë goditjen e helikopterit nga persona të armatosur. Hetimet do të shtrihen në mënyrë të posaçme edhe ndaj atyre personave që kryejnë veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës apo përkrahin autorët e krimit”.

Në kundërshtim me versionin e ministrisë ka reaguar Partia Demokratike. Sipas Bamir Topit Lazarati po provokohet në mënyrë të qëllimshme.

Bamir Topi: “Kryetari i mazhorancës ndonëse i ndodhur larg me pushime, ka pasur momente tensioni brenda partisë së tij ose ka qenë në vigjilje të hetimeve të cilat ne i kemi paralajmëruar gjithmonë kërkon të krijojë një dominant të ri një gjendje tensioni, për ta fokusuar atë pikërisht aty ku janë përfaqësues politikë, përfaqësuesit e PD”./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj