Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fushata elektorale në Durrës, po ashpërsohet gjithnjë e më tepër. Ferdinand Xhaferri kryetari i PDr, për postin e kryetarit të bashkisë në Durrës, kërkon që kandidati socialist Lefter Koka të tërhiqet. Sipas Xhaferrit, kompania Wind Co, ku Lefter Koka është bashkadministrator, ka marrë lejen e ndërtimit për kompleksin argëtues vetëm një muaj më parë.

Ferdinand Xhaferri:- “Pra Koka Group, dje deklaroi, se lejen e ndërtimit për kepin e Kokajve, që ata po ndërtojnë në shëtitoren e Vollgës, e kanë marrë vetëm më 26 Gusht të këtij viti, një muaj më parë. Kjo do të thotë, që përreth një vit, ata kanë hedhur bunkerë, kanë hedhur beton, kanë hedhur dhera tek shëtitorja e Vollgës, duke bërë ligjin copë, pa pasur lejen e ndërtimit”.

Por edhe përgjigjja e kampit socialist ka qenë mjaftë e ashpër. Në emër të shtabit elektoral të kandidatit socialist përgjigjet Gazmir Bizhga, deputeti i PS në Durrës.

Gazmir Bizhga:- “Fatkeqësisht, bashkë-konkurrentët e opozitës, në mungesë të një alternative të qartë dhe mbartës të ndërgjegjshëm të një qeverisje despotike, që arriti deri në shkatërrimin e shtetit dhe djegien e vendit, vendosën përdorimin e alternativës karakteristike të tyre, shpif, shpif, se diçka do të mbetet”.

Bizhga ka paraqitur dhe një dokument, të datës 3 Mars 1997, kohë në të cilën Xhaferri kryesonte degën e PD në Durrës, ku vërtetoheshin tentativat e pushtetit të asaj kohe për të shpërndarë armë. Në deklaratën e tij Bizhga ka prekur dhe disa shkelje të tjera të ligjit zgjedhor, siç ishte zgjedhja e Sabah Jemishtës në postin e sekretarit të KZQV, Jemishta është përfaqësuesi i opozitës, por është edhe në listën e këshilltarëve të PD për zgjedhjet e 12 tetorit./tvklan.al