Atmosferë e jashtëzakonshme kuqezi në Dortmund. Edhe pse shumë orë para ndeshjes së parë të Shqipërisë në Euro2024 kundër Italisë, qindra tifozë kanë nisur të festojnë në rrugët e qytetit gjerman.
Tifozët pritën autobusin e kombëtares që në ambientet e ‘Signal Iduna Park’ zhvilloi edhe seancën e fundit stërvitore kundër Italisë.
Seancë në të cilën trajneri Sylvinho ka përcaktuar edhe formacionin që do të hedh në fushën e lojës. Berisha pritet të fitojë balotazhin me Strakoshën, ndërsa në mbrojtje besohet se do të luajnë Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj.
Në mesin e fushës, Ramadani, Bajrami dhe Asllani, ndërsa në mbështetje të Brojës do të veprojnë Asani dhe Seferi. Kombëtarja kuqezi luan për herë të dytë në Kampionatin Europian, pas atij në vitin 2016, teksa tenton të përmirësojë renditjen e arritur në Francë me një vend të tretë në grup. Euro2024 do të vij ekskluzivisht në TV Klan.
Klan News