Fushata elektorale në Austri po i afrohet finishit. Si rrallë më parë ajo është e përqendruar në temat e imigrimit, të islamizimit dhe të refugjatëve – një garë e populistëve nga e djathta dhe fare nga e djathta.
Ndërkohë, të dyja partitë shfaqen njësoj populiste, mendon Mohammed Amini, një punëtor social në Vjenë. Ajo që e shqetëson atë, është se islamizimi asociohet vetëm me refugjatët dhe me njerëzit që kanë ardhur së fundi në Austri. “Populistët kanë nevojë për një figurë armiku dhe tani kjo është feja islame. Islamizimin e lidhin shpesh me refugjatët, por islamizimi ndodh më tepër te njerëz, që jetojnë për një kohë më të gjatë në vend, që përjetojnë diskriminim në tregun e punës dhe të banesave dhe që megjithë përpjekjet e tyre nuk arrijnë gjë”, thotë Amini.
Përgjithësime
Kështu javën e kaluar u publikua një studim, në bazë të të cilit një në tre xhami në Vjenë punon në mënyrë aktive kundër integrimit të suksesshëm. Problemi në këtë studim: prej rreth 400 xhamive në Vjenë, për studimin u shfrytëzuan vetëm 16. Studimin e kishte porositur dhe e prezantoi kandidati kryesor i ÖVP, Sebastian Kurz. Bashkësia Islamike në Austri (IGGiÖ) reagoi menjëherë dhe në mënyrë jashtëzakonisht kritike: “Ne besojmë se bëhet fjalë për një studim të porositur, që ndjek synime politike: kallëzim publik të institucioneve myslimane dhe vënien në pikëpyetje të doktrinës së tyre. Me etikë shkencore, kjo porosi politike nuk ka asgjë të përbashkët”, thuhet në një deklaratë të IGGGiÖ.
Vildana Arnautovic nga Bosnjë-Hercegovina, mësuese në një shkollë profesionale dhe më parë pjesë e ekipit të Kurzit, është larguar tani prej tij. “Probleme ka, ato duhen trajtuar pa dyshim”, thotë ajo. “Po nuk mund të thuash që të gjithë që vijnë në Austri janë njerëz të egër, të cilëve u duhet treguar se si jetohet në mënyrë të civilizuar”. Në anketime, Sebastian Kurz për momentin kryeson, dhe ai mund të arrijë që të fitojë zgjedhës të mëparshëm të FPÖ-së që të votojnë për ÖVP. /DW