Lajme Arkiva 2003

Procese të rëndësishme gjyqësore në Shqipëri mund të kenë dështuar për shkak të mungesës së ligjit që mbron dëshmitarët. Është kjo arsyeja që autoritetet e drejtësisë kanë përshëndetur miratimin e projektligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Ministri Spiro Peçi vlerësoi në një konferencë për shtyp se ky ligj i propozuar nga ministria që ai drejton është një sukses krahas ndërtimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Spiro Peçi: Në këto kushte duke marrë përsipër shteti një lloj garancie për jetën e tyre, të afërmve të tyre, të pasurisë së tyre, natyrisht që do të jetë më e lehtë për të dëshmuar, kuptohet bëhet fjalë gjithmonë për procese të rëndësishme që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, kanë të bëjnë me trafiqe, me korrupsionin dhe për dëshmitarët të cilët realisht janë dëshmi apo prova kyçe në zbërthimin deri në fund të një procesi.

Ministri Peçi pranoi se ka pasur dëshmitarë që kanë bashkëpunuar më arë me drejtësinë, por ata nuk janë trajtuar me mbrojtjen maksimale.

Një numër dëshmitarësh shqiptarë, gëzojnë mbrojtjen nga Italia ku kanë ndihmuar drejtësinë e këtij shteti edhe për hetimin e çështjeve të përbashkëta me vendin tonë, kryesisht në fushën e krimit t organizuar.

I pari që propozoi një projektligj  të tillë në Itali është kryeprokurori i antimafias italiane Pierluigi Vigna, pas atentatit ndaj një numri zyrtarësh të drejtësisë italiane nga mafia e këtij shteti.

Në vendin tonë një nga rastet ku dëshmitari shqiptar fitoi të drejtën e qëndrimit jashtë vendit, është Astrit Muldaga i cili dëshmoi me anë të video konferencës nga Roma për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari./tvklan.al