Këtë të shtunë në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, të ftuarit kanë folur në lidhje me punën e tyre të parë.

Erieta Koliqi Gajtana, mjeshtre e punimeve me gurë, tregoi eksperiencën e saj dhe u shpreh se ishte e detyruar të punonte që në moshën 17-vjeçare, si motra më e madhe, për t’iu bërë krahë familjes.

Ajo gjithashtu tregon që babain e ka pasur të burgosur politik dhe kjo i vështirësonte më shumë gjërat në kohën e regjimit komunist.


Erieta Koliqi Gajtani: Ka pasur edhe shkollë natën. Unë vetë e bëra natën liceun sepse hyra në punë në artistike “Migjeni”. Isha fëmija i parë, kisha motrën më të vogël edhe mamit duhet t’i bëheshe krahë.

Rudina Magjistari: Familja kishte nevojë.

Erieta Koliqi Gajtani: Po kisha mamin, se me ne të dyja ishte. Regjimi dihet si ka qenë atëherë. Ne e kishim babin në burg politik, edhe ne të treja mbijetonim, mbështesnim njëra-tjetrën. Isha e detyruar që unë të filloja punë e para, para motrës.

Rudina Magjistari: Do të thotë që ti ke nisur të punosh… ?

Erieta Koliqi Gajtani: Domethënë kam mbaruar klasën e tetë, më duket më futën dhe në një 2 vjeçare për të kualifikuar, gjë që nuk më pëlqeu. Mamaja punonte në artistike “Migjeni”, në repartin e argjendarisë, edhe i thotë drejtoreshës që po pati mundësi, ta marrë vajzën këtu. Dhe më çojnë tek qëndisja, tek reparti i qëndisjes. “A di goca të qëndisi?” (i tha drejtoresha mamasë së Erietës). “Gocën”, i tha, “e kam përgatitur mjeshtre për çdo gjë”.

Rudina Magjistari: Domethënë, 14 vjeç mbaronte pak a shumë 8-vjeçarja atëherë, kështu që dhe dy vite, diku tek te 16-at?

Erieta Koliqi Gajtani: 17 vjeç.

Rudina Magjistari: 17 vjeç ke filluar punën?

Erieta Koliqi Gajtani: Po, diçka e tillë. Edhe unë atë zanatin, akoma dhe sot e trashëgoj.

Rudina Magjistari: Vazhdon, vazhdon me qëndisjen. Pra, sa vite ke punuar aty?

Erieta Koliqi Gajtani: Deri në demokraci. Domethënë, sa erdhi demokracia, që filloi ai sistemi të lëkundej, edhe sikur punës ia varën punëtorët,  në atë kohë u mbyll ajo artistike “Migjeni”. /tvklan.al