Lefterie Bushi, një e moshuar, që prej vitesh jeton në Itali, i ka dhënë me qira banesën e saj, 24 m2, afër burgut, Rovena Rekës. Kjo e fundit nuk del nga shtëpia, duke kërkuar të përvetësojë shtëpinë me anë të të atit, Zija Reka dhe avokatit.
Rovena kërkon shtëpinë edhe pse Lefterie Bushi ka certifikatën e pronësisë. Në një ballafaqim me zaptuesit e shtëpisë, këta të fundit shfaqen agresivë dhe kanë hapur një gjyq fiktiv, vetëm për të fituar kohë, më dokumenta të falsifikuara dhe librezat e ujit dhe dritave.
Gazetari: Këtu rri goca juaj zotëri. Po si e ka marrë këtë shtëpi? Ku e gjeti Rovena këtë shtëpi? Ia ka marrë zonjës?
Zija Reka: Këtë shtëpi e kam pasur unë.
Gazetari: Ti e ke pasur këtë shtëpi? E ka pasur zotëria këtë shtëpi?
Lefterie Bushi: Jo!
Gazetari: Po kur e ke pasur ti, si e ka nxjerrë hipotekën zonja?!
Zija Reka: E ça do me thënë ti me këtë?
Gazetari: Po pra, por ku ke hipotekë, je pronar…
Lefteria Bushi: Ja erdhi Rovena…
Gazetari: Si je? Këtë shtëpinë zonjë, si e ke përfituar?
Rovena Reka: E kam përfituar, në radhë të parë nuk jetoj unë këtu…
Gazetari: Po kush jeton?
Rovena Reka: Këtu jeton babi im.
Gazetari: Babai sa na tha jeton ti, tani…
Rovena Reka: A hy, a s’dal unë këtu, është puna ime.
Gazetari: Po a e di ti, që këtë shtëpi e ka zonja me hipotekë?
Rovena Reka: Pak më intereson mua. Le të shkojë, ku të dojë…!
Gazetari: Po si të shkojë, ku të dojë?! E ka me hipotekë.
Ne njoftuam komisariatin numër 3, që shkoi në vendngjarje, por nuk mundi të bëjë dot gjë, pasi për rastin nuk ka një vendim gjyqësor.
Gazetari: Zonja ka denoncuar në “Stop”, ka një ambient këtu 24 m2, me hipotekë dhe ia ka lënë me qira, pa dokumente.
Polici: Zotërisë në fjalë?
Gazetari: Ia ka lënë vajzës së zotërisë.
Polici: Pa dokumente?
Gazetari: Nuk kanë dokumente.
Polici drejtuar Zija Rekës: Ke ndonjë letër për këtë ti? Ke ndonjë letër, ndonjë gjë për të vërtetuar se…
Rovena Reka: Ja të shpjegoj pak unë, të shpjegoj se unë jam vajza e vetë. Unë jetoj tek prindërit… Ka nevojë t’i fikni o zotëri? Nuk ka nevojë për kamera! Të lutem shumë, unë prandaj iu largova juve. S’ka nevojë të më kapin me kamera fare mua ata. Vëlla i dashur fikni kamerat po ju them ose do ju bëjë kallëzim! Fikni kamerat!
Avokati Engjel Dylgjeri shpjegon situatën absurde të krijuar, nga e cila po e pëson sot zonja Lefterie Bushi.
Gazetari: Rovena ngre pretendimin që është pronare, është një process gjyqësor. Çfarë është ky process gjyqësor?
Engjel Dylgjeri: Situata është kështu: ka bërë një padi idiote që është e pabazuar në prova dhe në ligj, një padi e cila pretendon që ka 20 vjet që rrinë me qira në këtë shtëpi dhe kanë fituar me parashikim fitues. Kërkesë padinë për në gjykatë, këto e kanë bërë për të fituar kohë për të ndenjur tek shtëpia, duke e ditur që është një padi me një këmbë në gropë. /tvklan.al