Lajme Arkiva 2004
Sipas Partisë Demokratike OSBE duhet të ndërhyjë për të riparë projektligjin për pronat para se të kalojnë në Kuvend. Sipas nënkryetarit demokrat Bamir Topi, socialistët nuk kanë respektuar konsensusin si u ra dakord në takimin me presidentin. Topi shprehet se çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave nuk ka miratimi e të gjitha forcave politike.
Bamir Topi: “Minimalisht OSBE-ja duhet të dalë në një deklaratë. Natyrisht është puna e tyre dhe ata e dinë se si të reagojnë, por për të thënë se ky nuk mund të jetë më një ligj ashtu sikurse është propaganduar nga qeveria një ligj konsensual, sepse ky ligj nuk e ka më konsensusin e forcave politike. Praktikisht ky është një ligj në variantin e qeverisë”.
Me gjithë asistencën e dhënë nga OSBE për këtë projektligj opozita shprehet e shqetësuar se abuzimi më i madh me pronën ka ardhur nga qeveria dhe pushteti vendor pasi njerëz me pushtet kanë zënë toka bregdetare dhe prona të shtetit duke deformuar pronësinë në hipoteka.
Bamir Topi: “Kryeministri shqiptar së bashku me ekzekutivin që ai drejton, së bashku me bordet apo me komisionet e kthimit dhe të kompensimit të pronave ka, shfrytëzuar pushteti në mënyrë tepër abuzive për të marrë tokat preferenciale që kanë qenë ose të shtetit ose prona të cilat janë deformuar nëpër hipotekat e vendit”.
Demokratët kërkojnë që territoret e lira tu kthehen pronarëve qoftë edhe në zona turistike duke ju nënshtruar planit urbanistik. Sipas opozitës kompensimi financiar i pronarëve nuk duhet bërë me vlerat e tregut 1945./tvklan.al