Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive edhe gjatë këtij viti. Deklarata vjen nga guvernatori Fullani gjatë një konference për shtyp, ku u njoftua për mbajtjen e pandryshuar të normës bazë të interesit për lekun.

Ardian Fullani: “Megjithëse të dhënat statistikore mbi ekonominë shqiptare mbeten ende të pakta. Treguesit indirekt sugjerojnë se ajo karakterizohet nga një rritje pozitive ekonomike, por më e ngadaltë nga ajo e viteve të shkuara.”

Deficiti buxhetor dhe ai tregtar janë zgjeruar muajt e fundit theksoi guvernatori duke shpjeguar edhe disa nga efektet e mundshme.

Ardian Fullani: “Rritja e deficitit buxhetor dhe shpenzimet publike mbështet aktivitetin ekonomik në kushtet e kërkesës të pakta të ekonomisë, por ajo shoqërohet dhe me tendencën rritëse të normave të interesit të borxhit publik. Zhvillimet në ekonominë e jashtme janë shoqëruar me ruajtjen e niveleve të larta të deficitit tregtar, të cilat ndikojnë në zhbalancimin e raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë në ekonomi.”    

Në lidhje me lëvizjet e mëdha që njohu kursi i këmbimit javën e kaluar, guvernatori tha edhe njëherë se ato ishin të pabaza dhe se monedha vendase është e qëndrueshme, madje në horizontin afatmesëm dhe atë afatgjatë pritet një forcim i lekut.

Ardian Fullani: “Leku me euron nuk përbëjnë me lajm dhe këshilla ime është për ta lënë të qetë kursin e këmbimit. Ruajtja e fleksibilitetit të kursit të këmbimit, tendenca korrektuese e deficitit tregtar dhe aktatraktiviteti i kursimeve në lekë, në formën e normave më të larta të interesit dhe të inflacionit të ulët i shërbejnë lëvizjeve të qeta dhe të kujdesshme të kursit të këmbimit si dhe një pozicioni të fortë të lekut në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro