Supersfida e javës së nëntë në Superiore, mes AF Elbasanit dhe Partizanit, nuk prodhoi fitues.
Dy ekipet ndanë nga një pikë mes tyre, pas barazimit 1-1, në një sfidë ku nuk mungoi tensioni dhe kontestimet. Një rezultat që i shkon më shumë përshtat Partizanit që mbetet në krye të renditjes me 16 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e katërt me 15 pikë.
Sa i përket ndeshjes, të kuqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Agim Zekës në minutën e 22-të. Megjithatë vendasit reaguan shpejt dhe barazuan shifrat me Ze Gomes në minutën e 36-të.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, i cili nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë. Fundi i takimit ishte tepër i tensionuar dhe me protesta të shumta të vendasve.
Gjyqtari fillimisht anuloi një gol Lleshit në minutën e 90-të, për faull gjatë aksionit. Në minutën e 93-të, tek Elbasani pretenduan për penallti, pas një kontakti të Gjonit me Bytyçin. Kjo krijoi tension dhe protesta, me vendasit që nuk ishin dakord me vendimin e arbitrit.
Në javën e 10-të, Elbasani pret Skënderbeun, ndërsa Partizani sfidon Vllazninë në transfertë. /tvklan.al