Klubi arrin marrëveshjen me lojtarët për t’i shpëtuar krizës

Pas shumë stuhish, tek Barcelona është rikthyer qetësia. Bordi i përkohshëm i skuadrës katalanase ka arritur të zgjidh një nga sfidat më kryesore në javët e fundit, çështjen e uljeve së pagave. Sipas asaj që njoftohet në faqen zyrtare të klubit spanjoll, është arritur një marrëveshje në parim, për rregullimin e pagave për një shifër prej 122 milionë eurosh.

“Sot, palët kanë arritur një marrëveshje në parim që lejon një rregullim të pagave për sezonin aktual, për një shumë prej 122 milionw euro shpërblim fiks, së cilës i shtohet shtyrja për 3 vjet e shpërblimit të ndryshueshëm nga  ky sezon, i buxhetuar në një shifër të përafërt prej 50 milionë euro”.

Si shumë ekipe të tjera, edhe klubi i La Liga është në vështirësi ekonomike për shkak të pagave të larta dhe rënies së ndjeshme të të ardhurave në kushtet e pandemisë, ndaj ekspertët parashikonin se pa një marrëveshje të tillë, rrezikohej edhe falimenti. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë edhe largimi i Bartomeu goditi jo pak arkat e klubit.

Megjithatë nw komunikatën zyrtare Barcelona njofton se marrëveshja është arritur në parim dhe se ratifikimi i saj do tw ishte me rëndësi historike për të ridrejtuar situatën ekonomike të klubit katalan. Nga marrëveshja në parim, Barcelona kursen rreth 122 milionë euro nga pagat fikse të futbollistëve dhe stafit, ndërsa shpërblimet janë shtyrë për t’u shlyer në tre vitet e ardhshme.

Klan Plus