Për demokratët përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj kryebashkiakut të Durrësit janë provë e mjaftueshme që Vangjush Dako të merret i pandehur nga organi i akuzës.
“I kapur në përgjime me trafikantë ndërkombëtarë droge para, gjatë dhe pas zgjedhjeve për të blerë pushtetin kriminal të Edi Ramës, Vangjush Dako duhet të ishte sot në burg. Çfarë po qarkullon aktualisht në media është vetëm maja e ajsbergut për “xhuxhin”, siç e quajnë miqtë e tij kriminelë, me të cilët ka blerë pushtetin e Edi Ramës”.
Opozita thotë se faktet të cilat provojnë se Vangjush Dako është pjesë kyçe e mekanizmit që kryeminsitri Rama ka ngritur për të ardhur në pushtet përmes krimit ndodhen në dosjen me nr. 339. Për këtë arsye Lulzim Basha adresoi një tjetër thirrje për Prokurorinë.
“Duhet urgjentisht një hetim i posaçëm dhe i pavarur për këtë operacion kriminal. Dua t’i kujtoj dyshes Marku-Prela dhe Arta Markut se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit,Tahirit e të tjerë, është krim i rëndë për të cilin do të mbajnë përgjegjësi.”
Në kundërpërgjigje Dako i cilësoi shpifje akuzat e Bashës duke ashpërsuar gjuhën ndaj kreut të opozitës.
“O Lulëzim Basha! Ti duhet t’i harrosh Durrësin, Shijakun dhe Krujën.. Sepse dikur edhe votonin për Saliun e për PD, po për toçin e Saliut votojnë vetëm nostalgjikët e PD dhe aq! Ti duhet ta kuptosh që s’ke vota o Lulëzim dhe s’ta kam fajin as unë, as durrsakët, as shijaksit as krutanët. NUK KE VOTE! Je një peshk rezervati që nuk hahesh dot dhe hidhu përpjetë sa të dush me kaseta me telefonata e me sajesa vemjesh.. TY NUK TE BESON ASKUSH o toçi i Saliut që i hap telefonin vetëm kunatit. Kurse mua më besojnë se ju hap telefonin të gjithëve dhe s’i kam duart as me gjak, as me zhul eurosh si puna jote!
Në emisionin “Opinion” kryebashkiaku i Durrësit pranoi telefonatat që ndodhen në dosjen e prokurorisë, por mohoi të ketë bërë pazare për votat me persona të inkriminuar.
Tv Klan