#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Ilirian Celibashi, Fatjona Mejdini, Artan Hoxha, Redi Shehu,  Mark Marku

Në lidhje Skype: Jozefina Topalli, Taulant Balla

Tema më e nxehtë e dy javëve të fundit, votimi i emigrantëve. Është hapur procesi i regjistrimit të emigrantëve që është një risi në këto zgjedhje vota e tyre nga vendi ku ata banojnë duke mos pasur më detyrimin të vijnë për të votuar në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Ata mund të votojnë nga rezidenca e tyre duke plotësuar një procedurë që aplikohet fillimisht nga KQZ. Regjistrimi është i hapur deri më 4 mars, një pikëpyetje shtrohet: sa shqiptarë do të marrin pjesë në votim nga diaspora? Nga listat e votimit, Shqipëria ka 3.7 milionë votues duke shtuar rreth 900 mijë nën 18 vjeç, listat shkojnë rreth 4.6 milionë. Sipas Censit, 2.4 milionë janë në Shqipëri, 2.3 milionë të tjerë janë jashtë saj. Sa mund të ndikojë vota e diasporës në rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri? Si do të votojnë ata që regjistrohen? Si do të llogaritet vota e tyre? Si është procesi i verifikimit? A është e garantuar vota e emigrantëve?

“1.1 milionë votues jashtë Shqipërisë”, Celibashi: Nuk votojnë dot nëse s’kanë këtë dokument

Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se rreth 1.1 milionë votues shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i KQZ-së shprehet se deri më tani kanë ardhur mbi 22 mijë kërkesa nga diaspora për votim në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Ilirjan Celibashi: Shkon tek 7-8 minuta si proces regjistrimi. Janë 53% e atyre, të cilët kanë krijuar llogari në PER, e kanë realizuar në tentativën e tyre të parë. Kjo është mbresëlënëse për ne.

Blendi Fevziu: Sa shqiptarë votues jetojnë jashtë Shqipërisë?

Ilirjan Celibashi: 1.1 milionë votues shqiptarë janë jashtë dhe 2.6 janë këtu. Ne sistemin e kemi ndërtuar që të gjithë të regjistrohen në platformë.

Teksa tregon etapat si të krijosh një llogari për votim jashtë vendit, kryekomisioni i KQZ-së, Celibashi thotë se nuk votojnë dot ata emigrantë që nuk kanë një dokument identifikimi shqiptar.

Ilirjan Celibashi: Fillimisht duhet hapur një llogari në PER, të deklarosh një numër telefoni, të ngarkosh numrin e ID, datëlindjen. Kështu krijon llogarinë në PER. Numri personal i identifikimit shqiptar. Për qëllime të regjistrimit, ai duhet të ngarkojë dokumentin e identifikimit shqiptar. Nuk regjistrohet dot si votues nëse nuk ka një dokument identifikimi shqiptar.

Blendi Fevziu: Ata emigrantë shqiptarë me dokumenta të huaja që nuk kanë dokument ID nuk votojnë dot?

Ilirjan Celibashi: Jo nuk votojnë dot. Nëse e ke të skaduar, mund të regjistrohesh, por gjatë 120 ditëve duhet ta rinovosh dokumentin. Gjithashtu do të duhet të ngarkosh një dokument që përmban adresën që do të ngarkosh në sistem. Nëse është në punë, një dokument pune, një dokument pronësie, një kontratë qiraje. Duhet të deklarosh adresën ku pret të vijë fleta e votimit. Gabimi që ka bërë një shumicë dërrmuese është se kanë deklaruar një adresë, por dokumenti që kanë ngarkuar ka një adresë tjetër.

Celibashi tregon se si mund të votojnë emigrantët e paligjshëm shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ilirjan Celibashi: Mund të jetë me një emër tjetër, por duhet të regjistrohet me emër që është këtu në gjendjen civile. Duhet të ngarkojë një dokument që të bëjë lidhjen mes emrit që ka në gjendjen civile në Shqipëri dhe atë në shtetin tjetër. Kur ndryshon emrin, duhet të ngarkojë një dokument provues.

Dërgimi i fletës së votimit nga diaspora, Celibashi: Digjen edhe nëse vijnë 1 sekondë më vonë

Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shprehet se fletët e votimit nga diaspora të ardhura me vonesë nuk do të përfshihen në proces.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan teksa u pyet në lidhje me faktin që nëse numri i fletëve të ardhura me vonesë do të jetë më i madh se i atyre të ardhura në kohë, a do të konsiderohen të vlefshme, Celibashi u shpreh se këto fletë do të jenë të pavlefshme.

Celibashi u shpreh se zarfet e ardhura nga diaspora do të administrohen në ambientet e KQZ nën monitorimin e partive, mediave si dhe kamerave.

Ilirjan Celibashi: Zarfet do të administrohen në KQZ sipas një protokolli të caktuar sigurie, me transaprencë, me mbikqyrje të partive, organizatave, medias, kamerave, dhe procesi i numërimit të këtyre fletëve do të fillojë kur fillon procesi i numërimit dhe i vlerësimit këtu në Shqipëri.

Redi Shehu: Nëse numri i fletëve të ardhura me vonesë është më i madh se numri i atyre të ardhura në kohë a nuk do të merret në konsideratë?

Ilirjan Celibashi: Nëse vula e parë që merr dërgesa postare në territorin e Republikës së Shqipërisë sipas të gjitha protokolleve ndërkombëtare mban datën 11 Maj ora 19 e 1 sekond nuk përfshihet në këtë proces. E ka përcaktuar kodi zgjedhor.

Blendi Fevziu: A dorëzon Shqipëria një pjesë edhe të sigurisë së saj kombëtare me këtë lloj votimi edhe me zarf sepse ne mund të kemi 600-700 mijë emigrantë në Greqi. Çfarë ndidh nëse në një moment konflikti me Greqinë që ne i kemi të shpehjsta shërbimi sekret grek i merr zarfet dhe i hedh në plehra.

Ilirjan Celibashi: Si do t’i marri se fleta e votimit i shkon në dorë çdo individi. Është operatori i shërbimit postar, ai do t’i përgjigjet detyrimeve kontraktuale.

Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 2025-ës, Taulant Balla optimist në parashikim

Në zgjedhjet e 11 majit 2025 është shtuar një element kyç: vota e diasporës që do të  ketë një ndikim të madh në rezultatin e tyre. KQZ ka vendosur tashmë në dispozicion platformën e regjistrimit ku votuesit kanë afat deri më 4 mars të dorëzojnë aplikimet online.

Taulant Balla, drejtuesi politik për diasporën në PS parashikoi gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në “Opinion” në Tv Klan pjesëmarrjen e votuesve emigrantë në zgjedhjet e 11 majit.

Taulant Balla: Janë 3.7  në total. duke iu referuar censusit dhe duke hequr ata nën 18 vjeç, unë besoj që 1.9 janë zgjedhës që ndodhen në Shqipëri dhe 1.7 janë zgjedhës që ndodhen jashtë SShqipërisë. Nga ata 1.7 unë i bashkohem thirrjes tuaj, do të doja që të  kishte një pjesëmarrje sa më të madhe. Është e vërtetë që koha ka qenë e  shkurtër për informimin, në Ankona, sapo kemi mbaruar një takim me disa bashkatdhetarë në një qytezë ku ndodhen më shumë se 1000 bashkatdhetarë dhe pjesa më e madhe  prej tyre nuk kishin informacion, por në vlerësimin tim do të shkojë përtej 200 mijë numri i të regjistruarve.

“Diaspora ka potencial për rotacion politik”, Topalli bën parashikimin e numrit të votuesve nga jashtë

Drejtuesja politike e PD-së për Diasporën, Jozefina Topalli thotë se është shumë e vështirë për të përcaktuar një numër të emigrantëve shqiptarë të cilët do të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit 2025 në Shqipëri. Megjithatë thotë se nëse trendi i regjistrimit vazhdon kështu, mund të jenë 150-200 mijë votues të diasporës.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Topalli shprehet se diaspora është një fuqi elektorale e jashtëzakonshme që ka potencialin për të ndryshuar çdo gjë në Shqipëri dhe për të bërë rotacionin politik.  

Blendi Fevziu: Sa mendoni se do të jetë numri i shqiptarëve të diasporës që mund të votojnë në këto zgjedhje?

Jozefina Topalli: Unë nuk do të guxoja të jepja një numër sepse është shumë e vështirë të flasësh për numra. Kjo është hera e parë që bëhet votimi i diasporës, sfidë planetare. Ne ndjekim me vëmendje numrat e shqiptarëve që janë regjistruar në PER, nëse vazhdon ky trend mund të shkojë 150-200 mijë, është herët për të pasur një shifër të përafërt. Është një fuqi elektorale e jashtëzakonshme që ka potencialin për të ndryshuar çdo gjë në Shqipëri dhe për të bërë një kthesë dhe një rotacion politik. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë proces, i bën shqiptarët një faktor politik për çdo rast që do të ketë zgjedhje sepse forcat politike do të kenë shumë interes ndaj diasporës. Është një moment historik, një e drejtë e tyre që i takonte prej kohësh.

Blendi Fevziu: Çfarë po bën PD-ja për të ftuar zgjedhësit që të votojnë në favor të saj?

Jozefina Topalli: Po punohet me qendra dixhitale, me strkturat e partisë, edhe me ato degë që mund të kemi në vende të ndryshme. Nuk është e thjeshtë sepse janë 1 milionë të shpërndarë në shumë vende të botës. Ata jetojnë realitete të tjera. Gjithsesi edhe aq nuk ka qenë e fuqishme, duhet edhe sensibilizimi mediatik, KQZ në mediat sociale duhet të prodhojnë produkte dixhitale. Nëse nuk regjistrohen deri më 4 Mars, humbin të drejtën e votës nga vendi ku banojnë.

2700 kërkesa të refuzuara, Celibashi: Arsyeja kryesore dokumenti i vërtetimit të adresës nga emigrantët

Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se arsyeja kryesore e refuzimit të kërkesës për t’u regjistruar si votues nga jashtë vendit është dokumenti i vërtetimit të adresës.

Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Celibashi shprehet se adresa e deklaruar nga votuesi duhet të jetë e njëjtë me adresën e ngarkuar në kërkesë.

Celibashi tha se të gjithë refuzimet marrin një përgjigje sqaruese ku secili ka mundësi që të aplikojë përsëri.

Blendi Fevziu: Cilat janë arsyet kryesore të refuzimit?

Ilirjan Celibashi: Kryesorja është që dokumenti i vërtetimit të adresës nuk përputhet përmbajtja e adresës që ka ky dokument me adresën që ka deklaruar vetë votuesi.

Blendi Fevziu: Pra jep një adresë tjetër dhe fut një dokument me një adresë tjetër. Ky është shkaku kryesor i djegieve..

Ilirjan Celibashi: Ky është shkaku kryesor. Ose ka ngarkuar një dokument i cili nuk përmban adresë fare. Ose ka ngarkuar një dokument që përmban adresë, por ky dokument nuk lidhet me emrin e zgjedhësit,, ose ka ngarkuar dokumenta që ka një adresë, por nuk është një dokument ligji për të vërtetuar adresën. Përshembull ka ngarkuar dikush zarfin e postës. Ka marrë një pako dhe …

Artan Hoxha: Refuzimeve j’ua sqaroni qartësisht pse kanë dështuar

Ilirjan Celibashi: Ja kemi sqaruar, por ne deri tani duke filluar nga sot sqarimin e kemi bërë edhe më shterues sepse kemi parë që nuk e kanë kuptuar shkakun e refuzimit.

Ndër të tjera Celibashi ka dhënë detaje lidhur edhe me kostot e votës së emigrantëve.

Blendi Fevziu: Sa ka kushtuar votimi i emigrantëve, platforma dhe njerëzit e shtuar, posta e gjitha?

Ilirjan Celibashi: Platforma e regjistrimit ka kushtuar 1.8 milion nga 2.4 që ka qenë parashikuar. Deri tani janë vendosur në dispozicion 5 milion Euro për kostot e postës vajtje ardhje. Për 100 mijë votues.

Blendi Fevziu: Shkon diku 7-8 milion. Po zgjedhjet në total sa e ka buxhetin KQZ?

Ilirjan Celibashi: 22 milion Euro.

Topalli: Sindikata italiane njofton takimin e PS me emigrantët/Balla: Hajde shkojmë bashkë në takime

Drejtuesja e PD për votën e diasporës, Jozefina Topalli, mendon se diaspora shqiptare ka 2 arsye përse duhet të votojë opozitën.

Në një lidhje me Skype për emisionin Opinion në Tv Klan, shprehu edhe një shqetësim në lidhje me një lajm se si një sindikatë italiane ka bërë thirrje për takimin e PS me shqiptarët në Rimini.

“3 momente do të konsideroja. 2 të cilat janë avantazhuese për të sjellë rrotacioan dhe e treta një shqetësim. Dy të parat. Diaspora është e lirë nga presioni nga pushteti, gjë të cilën s’mund ta them për administratën. E dyta. Në 12 vitet e fundit janë larguar rreth 1 milion shqiptarë dhe ata që përzihen nga shtëpia nuk mund të imagjinoj që t’ja kthejnë si shpërblim pushtetit aktual. E treta, po lexoja që ishte shpërndarë një email ku CGIL (sindikatë italiane) njoftonte shqiptarët që banojnë në Rimini që të vijnë në takimin e PS. Ishte çudia më e madhe se si një sindikatë italiane bën thirrje. Ky është shqetësimi im”.

Këtij pretendimi i është përgjigjur drejtuesi i PS për votën e diasporës, Taulant Balla, i cili ndodhet pikërisht në Itali për një takim me shqiptarët aty.

Në lidhje direkte për emisionin Opinion, Balla e ftoi Topallin që në takimet me diasporën të shkojnë bashkë përfaqësuesit e PS dhe PD, e në fund emigrantët të votojnë sipas dëshirën së tyre.

“Gjithë këto kohë kam konstatuar që shqiptarët janë tani të përfaqësuar, madje ka dhe kryetarë komunash shqiptarë dhe ka mijëra edhe nëpër sindikata të ndryshme, ku shqiptarët janë pjesë, dhe nuk shoh asnjë problem që të njoftojnë njëri-tjetrin me email. Do isha i gatshëm që në këto takime të shkonim dhe bashkë, PS dhe PD. Do isha krenar që ne këtu të ishim bashkë të gjithë edhe t’u flisnim, edhe pastaj shqiptarët të votojnë për kë të duan ata. Kjo historia e krijimit të alibive të humbjes së radhës. Rëndësi ka që ne të rrisim numrin e atyre që informohen”, u shpreh Taulant Balla.

Ndërhyrje në Kod për votën e diasporës me dokument ID të skaduar? Balla: PS do të bëjë gjithçka…

Emigrantët që jetojnë në diasporë mund të votojnë për zgjedhjet e 11 Majit 2025 me një dokument identifikimi shqiptar të vlefshëm. Ndërkohë, nëse dokumenti i identifikimit ka skaduar, ata mund të regjistrohen për zgjedhjet, por nuk kanë të drejtë të votojnë.

Në lidhje me këtë çështje është pyetur ministri dhe njeherësh drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, i cili ka thënë se Partia Socialiste do të bëjë gjithçka që t’i mundësojë çdo qytetari në diasporë që të votojë.

Artan Hoxha: Një shqetësim i madh nga votuesit emigrantë është një pjesë e madhe e tyre nuk kanë dokumenta në afat. Mund të regjistrohen si votues me dokument të skaduar, por nuk mund të votojnë me një dokument të skaduar. Rinovimi i dokumentave kërkon kohë. A do të ishit të gatshëm ju si parti politike të konsideronit diçka që diskuam dhe me Celibashin që mund të votohet dhe me një dokument që i rinovohet koha përmes një ligji?

Taulant BallaNe duam të bëjmë gjithçka dhe kemi bërë gjithçka që bashkëatdhetarët tanë në diasporë të mund të votojnë në shumicë. Nga ana jonë ka gjithmonë gatishmëri. Edhe që mund të regjistrohesh me një dokument të skaduar ishte një zgjidhje që gjetëm bashkarisht në KQZ. Kjo që thoni ju kërkon një ndërhyrje në Kod.

Artan Hoxha: Kjo mund të kërkojë për emigrantët shqiptar një modifikim, a do të ishit të gatshëm që ta konsideronit?

Taulant Balla: PS do të bëjë gjithçka që të ju mundësojë çdo qytetari në diasporë që të votojë.

/tvklan.al