Decentralizimi i pushtetit lokal është një prioritet i qeverisë qendrore dhe sipas ministrit të linjës, Lulzim Basha, po ecën me hapa pozitivë, por në një takim, me të zgjedhurit vendorë të Shoqatës së Bashkive, ku vihej re mungesa e kryebashkiakëve socialistë, Basha ka akuzuar këta të fundit se kanë shfrytëzuar rritjen e buxhetit të tyre për të fryrë administratën dhe jo për të kryer investimet e nevojshme në dobi të komunitetit.
Lulzim Basha: “Si Ministër i Brendshëm kam vërejtjet e mia për përdorimin diskrecionar të këtyre fondeve nga disa bashki, të cilat fatkeqësisht nuk janë kthyer në vepra për qytetarët, por janë kthyer në fryrje administrate, tre-katër pesëfishim policisë bashkiake e tjerë e tjerë. Nuk e kam fjalën këtu për asnjë nga ju të pranishmit apo për një pjesë të mirë të anëtarësisë së shoqatës tuaj dhe besoj është e qartë për ju dhe për publikun se për kë është fjala”.
Basha ka deklaruar se qeveria ka treguar vëmendje maksimale në mënyrë të veçantë në përmbushjen e kërkesave financiare të pushtetit lokal.
Lulzim Basha: “Në tre vjet kemi trefishuar grandet, fondet qeveritare për pushtetin lokal. Kemi sot një program robust, të paprecedent në Ballkan për investimet lokale, ku përfitojnë 100% e njësive vendore edhe një shkallë disbursimi 12 deri 15 herë drejt fondeve të njësive vendore.”
Duke folur për procesin e decentralizimit, Ministri i Brendshëm ka nënvizuar se gjatë këtij viti, i cili përkon dhe me një vit parazgjedhor, do të vijojë puna përveç të tjerash dhe për kalimin në varësinë e pushtetit lokal, i ndërmarrjeve të ujësjellësve apo të inspektorateve të ndërtimit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka