Ministri i Brendshëm shqiptar, Lulzim Basha, ka arritur të marrë një mbështetje të plotë nga Holanda lidhur me liberalizimin sa më të shpejtë të vizave afatshkurtra për qytetarët shqiptarë.
Kjo pasi rezultatet e qeverisë shqiptare në bllokun e pasaportave biometrike, të kontrollit të kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar kanë impresionuar përfaqësuesit e qeverisë holandeze.
Ministrja e Brendshme e Holandës ka vlerësuar reformën e policisë dhe ka shprehur dëshirën të vizitojë Shqipërinë:
Guusje Ter Horst: “Ministri më ka informuar për reformat e policisë dhe kjo më tregon mua, se qeveria shqiptare është shumë e suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar. Jam e interesuar për të parë Shqipërinë, dhe ministri më ftoi për të vizituar vendin. Ajo që ai tha për luftën kundër krimit të organizuar tregon, se Shqipëria është bërë shumë më e sigurte dhe kjo është e mirë edhe për të huajt që duan të vizitojnë Shqipërinë.”
Basha ka takuar edhe sekretarin e shtetit të Holandës në Ministrinë e Drejtësisë. Ky i fundit, e ka cilësuar Shqipërinë si shumë më të përparuar se shumë shtete anëtare kur bëhet fjalë për dy aspekte teknike:
Joris Demmink: “Kontrolli i kufijve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, përsa i përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera”.
Lulzim Basha: “Komisioni Evropian ka dërguar një mision dhe presim që në Shkurt të zhvillohen dy misione të tjera. Qëllimi i këtyre vizitave dhe i këtyre takimeve me partnerët tanë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian është që të mos kemi asnjë pengesë dhe menjëherë pas vlerësimit të komisionit për të cilin kam të gjitha arsyet të jem optimist, vendet anëtare, të cilët janë vendimmarrësit, të marrin vendimin pozitiv dhe mos vonojë asnjë ditë për vendimin e shumëpritur për shqiptarët pa viza në zonën Shengen”.
Joris Demnik: “Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështetëm idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur”./tvklan.al