Sot në Zagreb të Kroacisë nisi punimet Kongresi i Partisë Popullore Europiane, ku pritet të zgjidhet edhe presidenti i ri. Në këtë kongres merr pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kreu i opozitës pritet që të mbajë një fjalim gjatë punimeve. Zyra e shtypit e PD-së ka bërë të ditur se Basha do të takohet me zyrtarët më të lartë të BE-së dhe drejtues të vendeve anëtare ku në fokus do të ketë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Kongresi i Partive Popullore Europiane mbahet në Kroaci, vendi më i ri anëtar i BE-së, i cili merr presidencën e radhës për herë të parë në Janar 2020. Të pranishëm në punime do të jenë edhe kancelarja Angela Merkel, Presidentja e zgjedhur e KE-së, Ursula Von Der Leyen, fituesi i zgjedhjeve në Austri, Sebastian Kurz, si dhe krerët e qeverive të Qipros, Bullgarisë, Letonisë, Greqisë, Rumanisë, Kroacisë, Irlandës.

Kandidati i vetëm për t’u zgjedhur president i PPE-së është Donald Tusk, i cili aktualisht është President i Këshillit Europian. /tvklan.al