Donald Tusk është Presidenti i ri i Partisë Popullore Europiane pas kongresit që u zhvillua në Zagreb të Kroacisë. I pranishëm në këto punime ishte edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili ka uruar Donald Tusk për detyrën e re.
Sipas Bashës, Tusk ka qenë një mbështetës i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.
“Ndava me Presidentin Tusk vendosmërinë time për të luftuar fort për plotësimin e të gjitha detyrimeve që vendi ynë ka për hapjen e negociatave, dhe për të bindur me rezultatet e punës tonë vendet skeptike, siç kemi bërë për anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave. Gjeta mbështetjen e plotë dhe gatishmërinë e Presidentit Tusk për të na ndihmuar në këtë proces transformimi rrënjësor të vendit tonë, duke vendosur në Shqipëri standartet e Bashkimit Europian, zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimin e shtetit ligjor, barazinë para ligjit, luftën kundër korrupsionit, ndarjen e politikës nga krimi dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në një deklarata nga zyra për shtyp e selisë blu.
Nga ana tjetër Tusk theksoi se në një betejë politike, e vërteta dhe vendosmëria do të triumfojnë kundër lajmeve të rreme, manipulimeve dhe urrejtjes, ndërsa shprehu angazhimin për ta ndihmuar Shqipërinë të thotë të vërtetat e saj larg propagandës. Presidenti i ri i PPE-së pritet që të vizitojë Shqipërinë pas ftesës që i ka bërë Lulzim Basha. /tvklan.al