Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka bërë një apel për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë në Landfillin e Sharrës, ku u gjet i pajetë Ardit Gjoklaj, vetëm 17 vjeç.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që ta zbardhin me prioritet këtë ngjarje dhe me çdo kusht dhe të përballet me forcën e ligjit çdokush që përpiqet të fshehë përgjegjësitë.

Ndonëse vetëm 17 vjeç Arditi kishte vendosur të përballej vetë me vështirësitë e jetës. Nuk donte t’u bëhej barrë prindërve në vështirësi ekonomike, por kishte zgjedhur të ishte në krah të tyre e t’i ndihmonte sado pak për të përballuar vështirësitë e jetës. Kishte shfrytëzuar të vetmen mundësi për punë, ndonëse në kushte shumë të vështira dhe gjatë gjithë natës punonte në Landfillin e Sharrës. Me të ardhurat do të blinte librat e shkollës për vete dhe për të motrën. Arditi donte të bëhej hidraulik. Por ëndrra e tij u pre në mes.

Në familjen e Arditit dhimbja është e papërballueshme. E madhe është dhimbja që ndjen çdokush e të vetën e ndjejnë dhimbjen të gjithë ata që ashtu si Arditi, vendosin të punojnë e të përballojnë vetë jetën e t’i bëhen krah familjes.

Babai dhe e ëma e Arditit janë të rrënuar nga vdekja e tij. Ata më thanë sot kur më pritën në shtëpinë e tyre plot halle e dhimbje, se mbi të gjitha duan drejtësi.

Çfarë ka ndodhur natën e 6 Gushtit në Landfillin e Sharrës. Kjo duhet zbardhur me çdo kusht. Por një gjë është dhe duhet te jetë e qartë për këdo që ka përgjegjësi për zbardhjen e kësaj ngjarje. Drejtësi duhet të ketë dhe drejtësi do të ketë.

Dua sot t’u bëj thirrje autoriteve përgjegjëse të zbardhin me prioritet këtë ngjarje të rëndë e forca e ligjit të veprojë me ashpërsinë maksimale mbi këdo që po përpiqet të fshehë përgjegjësitë.

Vetëm në këtë mënyre do të lehtësohej sadopak dhimbja e pakufi e prindërve dhe familjarëve të Arditit.

Arditi është këmbana e alarmit që bie për të gjithë në që kemi përgjegjësi sot dhe nesër, për të qenë pranë këtyre familjeve në nevoja ekstreme, e mbi te gjitha pranë të rinjve që duan të mësojnë e punojnë, për të qenë si bashkëmoshatarët e tyre.

U prehsh në paqe Ardit. Por paqe nuk do të gjejmë sa të bëhet drejtësi për ty”-

shkruan Basha

./tvklan.al