Zona nga Kthesa e Kamzës deri tek rrethrrotullimi që lidh rrugën e “Durrësit” me Unazën e Madhe, e cilësuar nga bashkia si zona prioritare E, do të rregullohet sipas një masterplani të punuar me kujdes. 2 kulla binjake me 22 kate në hyrje të rrugës në afërsi të Kthesës së Kamzës do të përshëndesin vizitorët që do të vijnë në Tiarën e ndërsa rreth tyre disa kulla të vogla që do të kenë funksionin e qendrave tregtare, qendra do të ofrojë një shesh në formë rrethi, me sallë koncertesh, i cili lidhet me një hotel me 4 apo 5 yje.
Kjo mund të jetë një nga pamjet që do të ofrojë hyrja e Tiranës në të ardhmen e prezantuar nga studio Dizajn Internacional. Por propozimi i studios izraelite BLK është një kullë me 22 kate e ngritur në hyrje të rrugës e më pas e gjithë zona përgjatë rrugës së Durrësit do të jetë me ndërtesa të larta për të bërë të mundur mos depërtimin e zhurmës së trafikut. Në brendësi të zonës ndërtesat do të jenë më të ulëta.
Studio Faver Gam e sheh hyrjen e Tiranës me më shumë gjelbërim. Një park i madh që do të zërë 1/3 e sipërfaqjes së zonës, në brendësi të të cilit do të jetë vetëm një hotel me 5 yje. Pjesa tjetër do të shërbejë për ndërtimin e godinave, qendrave tregtare dhe rezidenciale. Këto janë 3 projektet e paraqitura në konkursin ndërkombëtar për zonën prioritare E që do të vlerësohet nga një juri e përbërë nga emra të njohur vendas dhe të huaj.
Edi Rama: “Këto janë konkurse të cilat përcaktojnë një ide fituese dhe kjo ide pastaj do të zhvillohet më tutje në bazë të të gjitha rekomandimeve të jurisë, në bazë të harmonizimit të interesave publike me ato private.”
Projekti fitues do të vlerësohet nga juria dhe në bazë të kritereve të paraqitura më parë të kësaj zone./tvklan.al
Gazetare: Brunilda cami