50 studentë të fushave të ndryshme janë përzgjedhur mes 100 të tillëve, për të punuar në bashkinë e kryeqytetit gjatë periudhës së verës. Ata do të shpërndahen në departamente të ndryshme të bashkisë.
Në ditën e parë të punës ata u pritën nga kreu i bashkisë Edi Rama në zyrën e informimit publik, ku dhe do të punësohen 10 prej tyre.
Edi Rama: “Është një punë e cila ka një interes reciprok, për ju që njiheni nga brenda me shtetin, me administratën publike. Sigurisht në një institucion që është shumë më i avancuar sesa tërësia e institucioneve të shtetit e administratës publike në Shqipëri. Por që si kudo dhe si gjithmonë ka plot gjëra për të përmirësuar dhe ne që falë jush marrim jo vetëm një kontribut të rëndësishëm, por edhe mendime opinione.”
Gjatë periudhës tre mujore që këta studentë do të punojnë në bashki do të njihen me administratën lokale, me proceset vendimmarrëse. Ata do të përfshihen në punët dhe funksionet e drejtorive të bashkisë në terren. Do të marrin përgjegjësi mbi procedurat e punës në projekte publike./tvklan.al
Gazetare: Brunlida Cami