Baticat e detit Adriatik kanë rrezikuar zonën nga Divjaka deri në Lagunën e Karavastasë dhe veçanërisht fshatin Adriatik. Banorët shprehen të shqetësuar lidhur me situatën, ndërsa strukturat qeveritare kanë bërë të mundur ndërtimin e një argjinature të re 300 metra larg bregut për shmangien e përmbytjeve.

Qytetari 1: “Erdhën të ndërmarrjes së urave dhe riparuan, bënë edhe një argjinaturë të re rreth 300 metër larg bregut. Kjo argjinaturë për momentin e mbajti baticën e parë, por ata erdhën e riparuan se pati defekte po nuk pati shpërthime uji”.

Qytetari 2: “Këtu nuk ka bërë vaki kemi sot e 30 vjet, nuk e mbaj mend ndonjëherë këtë baticë, por me matjen e argjinaturave që është bërë këtu, që ndodhi , që nuk u përmbytëm”.

Lidhur me gjendjen e krijuar ka reaguar dhe Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, i cili theksoi rëndësinë e investimeve të tilla për parandalimin e katastrofave natyrore.

Genc Ruli: “Eksperienca e këtyre ditëve të fundit me përmbytjen në zonën e Shkodrës, na bëjnë jo vetëm të kuptojmë se sa të rëndësishme janë investimet në gjithë sistemin mbrojtës dhe kullues dhe duhet ta pranojmë që në atë zonë po mos të ishin bërë investime në kohën e duhur, në periudhën 2006- 2009, ardhja e përmbytjes mund të kishte qenë dy herë më e madhe. Neve madje këto dy ditë kemi filluar në mënyrë emergjente të bëjmë një riparim të argjinaturave në zonën e Vjosës. Sigurisht investimet në kullim, në mbrojtjen nga erozioni, në digat e rezervuarëve do jenë një nga investimet më prioritare të buxhetit të ministrisë për këtë vit”.

Strukturat qeveritare momentalisht po kryejnë investime në rehabilitimin e argjinaturave ekzistuese në disa zona të vendit./tvklan.al