Zonat e prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës duket se po i rikthehen normalitetit. Këtë e dëshmojnë vetë banorët, pjesa dërrmuese e të cilëve ka vendosur të kthehen në shtëpitë e tyre, ndonëse shumë të pakët janë ata që presin restaurimin e shtëpive që, si pasojë e dëmtimeve, kanë dalë jashtë funksionalitetit.
Sipas kryetarit të Komunës së Dajti, një nga më të prekura në këtë qark, ekspertët e grupeve të punës kanë përfunduar evidentimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara, ndonëse sqaron ai ka ende disa zona që vijojnë të jenë nën ujë.
Arben Gjuraj: “Banorët kanë pritur vlerësimin e dëmeve nga grupet e vlerësimit të cilat janë pothuajse në të gjitha ndërtesat që kanë pësuar dëm. Ndërkohë për shkak të rehabilitimit që kanë nevojë ndërtesat ende disa familje mbeten jashtë shtëpive të tyre. Te 60 persona të cilët ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, po ashtu është një pjesë e sipërfaqes ende nën ndikimin e ujit. Bëhet fjalë në fshatin Pentar edhe pjesërisht edhe në fshatin Malgjym.”
Sipas kreut të Komunës së Dajti, Arben Gjuraj, problematike mbetet furnizimi me ushqim për kafshët nga ana e vetë banorëve, sipas tij, ky furnizim nga ana e shtetit do të vijojë për bagëtitë edhe për një periudhë me të gjatë.
Arben Gjuraj: “Janë një pjesë e konsiderueshme e kafshëve që do ta vuajnë mungesën e ushqimit për shkak të prishjes në pjesën më të madhe të ushqimeve që banorët përdornin zakonisht për ushqimin e tyre. Për këtë arsye ne do të vazhdojmë t’i ushqejmë kafshët e tyre mbase edhe për një periudhë diçka më të gjatë se kjo që kaluam.”
Verifikimi i dëmeve në terren në zonën e prekur nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës u bë nga 180 ekspertë, ku janë evidentuar dëmet në të mbjella, bagëti, shtëpi banim dhe orendi. Akordimi i fondit ndaj të gjitha familjeve të prekura do të kalojë përmes llogarive bankare./tvklan.al