Sasitë e mëdha të reshjeve të rëna gjatë periudhës janar-shkurt përveç situatës emergjente që u krijua në disa zona të veriut, patën ndikimin e tyre edhe në bujqësi.
Në zonën e Nënshkodrës uji mbuloi një sipërfaqe prej 11 mijë hektar, gjysma e së cilës tokë bujqësore. Intensiteti i reshjeve në këtë zonë por edh enë atë të Lezhës e Kurbinit dëmtoi kryesisht kulturën e grurit, të foragjereve dhe pemëve frutore.
Guri Beshi: “Në sipërfaqe ku uji u largua me shpejtë dëmet kanë qenë gati-gati minimale, qoftë në jonxhë, qoftë në grurë, por edhe në bimë të tjera edhe në frytikulturë, ndërsa në zonat që uji qëndroi më gjatë dëmet janë më të mëdhaja “.
Nezir Mcuku: “Këto reshje kanë shkaktuar probleme, një lagështirë e madhe pengon në zhvillimin e bimës. Kryesisht problematikë është komuna e Bubqit, po të vemi re që janë një pjesë e tokave përsëri kanë probleme me kullimin”.
Por edhe sezoni i rimbjelljeve duket se do të jetë në varësi të kapriçove të motit. Specialistët rekomandojë marrjen e masave të parakohshme, për të evituar një sezon të dështuar.
Nezir Mcuku: “Rekomandojmë që shërbimet të jenë më intensive pas përfundimit të këtyre reshjeve, me qëllim që atë mangësi që e kanë pasur gjatë këtyre muajve ta rimarin me anë të shërbimeve plotësuese që mund ti bëjnë. Shpresojmë që gradualisht do të përmirësohet edhe koha edhe do të ketë zhvillim të mjaftueshëm kultura e grurit”.
Sinoptikanët parashikojnë një mot të lagësht deri në pranverë, çka pritet të krijojë vonesa edhe në dalje në treg të prodhimeve të stinës./tvklan.al