Banorët e zonave të përmbytura në Shkodër janë kthyer prej disa ditësh në banesat e tyre duke nisur jetën normale. Ata deklarojnë se kujdesi nga ana e qeverisë ka qenë maksimal dhe ndihmat nuk kanë munguar asnjëherë.

Qytetar: “Kujdesi ka ardhur si asnjë herë tjetër dmth unë jam një ndër ata banorë që kemi marrë të paktën gjashtë herë ndihma, tani të shtetit të Kryqit të Kuq e rëndësishme është që i kemi marrë nga shteti, pa diferencime partiake ja PS, ja PD, këtu ndihma kanë ardhur të gjithë. Grupet e verifikimit kanë ardhur ditën e shtunë dhe kanë qenë dhe kanë marrë pesë gjashtë familje më duket, na kanë thënë që ditën e hënë rrini nëpër shtëpia se do të vijmë për verifikimin tyre”.

Qytetar: “Ne dihet ajo punë se ne na ka hyrë uji nëpër shtëpia jemi me lagështirë, e jemi gjithnjë, vështirësi kemi bërë me thënë të vërtetën, por deri sa na ka ardhur me ndihma me njëra me tjetrën tani presim dhe komisionin që do vijë të na verifikojnë”.

Ndërkohë procesi i verifikimit të dëmeve ka përfunduar në komunën Rrethina dhe Qendër Koplik. Aktualisht grupi i punës po nis verifikimet në lagjen e Livadheve, po ashtu pritet që në fillim të javës të përfundojë procesi i verifikimit në komunën e Velipojës dhe Bërdicës. Aktualisht situata është përmirësuar ndjeshëm. Të përmbytura janë vetëm 1800 hektar tokë ndërsa 78 shtëpi janë ende të rrethuara nga uji.

Të gjitha rrugët për në fshatrat e komunave të përmbytura ditë më parë, janë të kalueshme nga të gjitha llojet e mjeteve./tvklan.al