Rritja ekonomike e Shqipërisë përgjatë gjithë vitit 2024 pritet të jetë e qëndrueshme në 3.3%, e nxitur kryesisht nga rritja e konsumit, sektori i turizmit dhe ai i ndërtimit. Kjo u bë publike në raportin më të fundit të Bankës Botërore për Ekonominë e Ballkanit Perëndimor, ku vendi ynë theksohet nga ky institucion ka patur hapa pozitive në ekonomi.

Ndër të tjera Banka Botërore nënvizon se niveli i varfërisë ka shënuar rënie, ndërsa punësimi është rritur, veçanërisht në sektorin privat, ku gjatë vitit të fundit pagat janë rritur mesatarisht me 12.7% në të gjithë sektorët. Nga ana tjetër inflacioni po ulet gradualisht, ndërsa të ardhurat në buxhet shënuan një rritje prej 8% deri në muajin Korrik të këtij viti sipas Bankës Botërore.

Parashikimi ekonomik i Shqipërisë do të jetë në varësi të rimëkëmbjes së ekonomisë globale dhe ritmit të zbatimit të reformave strukturore. Megjithatë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian shërbejnë si një forcë orientuese për përparimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit thuhet në raportin e Bankës Botërore. Për vitin 2025 rritja ekonomike për Shqipërinë parashikohet të përshpejtohet me ritëm të moderuar prej 3.4%.

Banka Botërore parashikon që norma e rritjes për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.7% në vitin 2025, që përbën një rishikim me 0.2% më të lartë se sa vlera e parashikuar në raportin e pranverës së këtij viti.

Banka Botërore thekson se pavarësisht perspektivës pozitive, Ballkani Perendimor vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta dhe ngjarjet ekstreme të motit.

Klan News