Komisioni Europian propozon që zyrtarëve nga Gjeorgjia, t’u hiqet e drejta të lëvizin pa viza në vendet e hapësirës Schengen. Ndërsa të gjithë qytetarët e tjerë nga ky vend do të vazhdojnë të gëzojnë lirinë e lëvizjes në hapësirën e përbashkët europiane.

Synohet ndëshkimi i zyrtarëve të qeverisë pro-ruse, pas vendimit të muajit të kaluar për pezullimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në 2028-ën. Plani prek të gjithë gjeorgjianët që kanë pasaporta diplomatike apo shërbimi.

Propozimi, megjithatë duhet të marrë miratimin e të gjitha vendeve anëtare, për t’u vënë në zbatim. Në fillim të kësaj jave, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të unionit Kaja Kalas propozoi hartimin e një liste me zyrtarë gjeorgjianë që sanksionohen nga Bashkimi Europian si ndëshkim për shtypjen me dhunë të protestave pro-perëndimore.

Hungaria dhe Sllovakia, dy prej vendeve të pakta ende miqësore me Moskën vendosën Veton, duke argumentuar se kjo është përfshirje në punët e brendshme të Gjeorgjisë.

Tv Klan