Qeveria shqiptare do të angazhohet për të tërhequr eshtrat e mbretit Ahmet Zog.

Kryeministri  Sali Berisha paralajmëroi këtë zhvillim duke theksuar gjithashtu rolin e madh të mbretit Ahmet Zog në ndërtimin e shtetit shqiptar falë një veprimtarie patriotike që prej shpalljes së pavarësisë.

Sali Berisha: “Qeveria shqiptare do të krijojë një komision qeveritar shtetërorë, për rikthimin në Shqipëri eshtrave të mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat moderne, zogut të parë dhe anëtarëve të familjes mbretërore. Qeveria shqiptare merr këtë vendim duke njohur Ahmet Zogun, kryeministër, president dhe më vonë mbret i shqiptarëve si arkitekti i shteti modern shqiptar, si njëri prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar. Mbreti mprehët në varrezën e tij rreth 15-20 km nga kryeqyteti i Francës. Ndërkohë familja mbretërore ka patur varrezën e vet në kryeqytetin e vendit. Familja mbretërore, mbreti dhe mbretëresha, anëtarë të tjerë të familjes do të rikthehen të pushojnë përjetë në varrezën e tyre dhe do nderohen gjithnjë nga shqiptarët”.

Kthimi i eshtrave të zogut të parë dhe familjes mbretërore u konsiderua nga kryeministri si kontributi i qeverise shqiptare për të vënë në vend figurën e tij jo pak të sulmuar e të mbushur me falsifikime, por ky nuk duket të jetë i vetmi angazhim i qeverise.

Kryeministri u tha gazetareve se do të bëhet gjithçka për të sjellë në atdhe eshtrat e të tjera personaliteteve të kombit.

Sali Berisha: “Kemi filluar negociatat dhe negociojmë me qeverinë e Indisë dhe do të intensifikojmë gjatë këtij viti që po të jetë e mundur në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, të rikthejmë eshtrat dhe të mprehët në Shqipëri. Qeveria shqiptare do të nisë përpjekjet për të rikthyer në Shqipëri burrin e madh të kombit Mit’hat Frashërin”.

Problemi i vetëm duket të jetë me eshtrat e Fan Nolit. Kjo për shkak të kontributit të tij në ndërtimin e kishës ortodokse në SHBA një vendim që siç tha kryeministri Berisha, do të kërkonte dhe konsensusin e diasporës shqiptare për të cilën Noli ka shërbyer si shembull frymëzimi./tvklan.al Gazetare: Menada Zaimi