Mbledhja e komitetit ndërministror të integrimit, u zhvillua për herë të parë në praninë e drejtorit te Përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel.
Një fakt që kryeministri Sali Berisha e nënvizoi të rëndësishëm në këtë fazë të zhvillimit të marrëdhënieve me Brukselin zyrtar.
Shqyrtimi i kërkesës tha Berisha, është vetëm fillimi i procesit për integrim, hapi i parë është përgjigjja ndaj pyetësorit si verifikim i statusit të funksionimit të demokracisë dhe zbatimit të reformave.
Sali Berisha: “Zoti Mirel, kjo qeveri ka një moto, motoja e saj është reformat si perpetum mobile si një kusht për ndryshimin e vendit. Unë dua tu garantoj ju se qeveria nuk do të tërhiqet, por do të procedojë me të gjitha reformat pavarësisht nga çmimi që ato kanë. Besim i madh që treguan ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian duke pranuar kërkesën, gatishmëria e komisionit për t’ju përgjigjur vendimit të këshillit të ministrave të BE që dëshmohet nga prania juaj sot këtu, mbështetja me mbi 90% e procesit të integrimit nga qytetarët shqiptar janë obligime shumë të mëdha të qeverisë sime për të cilat ne do të qëndrojmë me të gjithë potencialet tona për t’i përmbushur ato.”
Diskutimi i pyetësorit për zyrtarin e lartë evropian përben një fazë të rëndësishme që tregon në një ane se është shënuar arritje dhe po aq fillimin e një procesi të verifikimit në terren të këtyre arritjeve.
Pierre Mirel: “Detyra dhe objektivi ynë është që të përgatisim një opinion të balancuar dhe objektiv. Si element të gjykimit tonë mbi Shqipërinë do të veçoja në radhë të parë zbatimin e marrëveshjes dy paleshe. Ne kemi vënë re se deri tani ka një zbatim të kënaqshëm të saj. Si element i dytë dhe më i rëndësishëm janë kriteret politike dhe ekonomike si përcaktuese në vendimin për një vend aplikant. Pasi të merren përgjigjet ne do t’i ekzaminojmë, ndoshta do të bëjmë pyetje shtesë, misione ekspertesh do të vijnë në Shqipëri për të verifikuar nëse ky është realiteti në terren. Për sa i përket kohës ne kemi thënë se presim që përgjigjet të na vijnë në tre muaj, por ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe në këtë rast cilësia është më e rëndësishme sesa koha. Nuk do te ishte mire sikur ne te na vinin përgjigje jo të plota. ”
Kryeministri Sali Berisha dha garanci të plotë për përgjigje në kohë dhe serioze të palës shqiptare të cilat të tregojnë siç tha ai funksionimin e plotë të demokracisë në vend.
Si dëshmi të kësaj, kryeministri solli në vëmendje edhe një herë provën e kaluar me zgjedhjet parlamentare, të certifikuara dhe nga institucionet ndërkombëtare.
Sali Berisha: “Përkushtimi total i qeverisë dhe faktorëve ë tjerë bëri që zgjedhjet e qershorit të vlerësohen si zgjedhjet që plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së dhe si zgjedhje në të cilat nuk pati asnjë të dhënë për manipulim rezultati as dhe numërim të parregullt. OSBE-ODHIR ka bërë një seri rekomandimesh. Unë dua tu garantoj ju këtu siç e kam bërë publike se do të isha, jam shumë i hapur që opozita shqiptare të hartojë ligjin për adresimin e të gjitha rekomandimeve në interesin më të mirë të saj dhe të vendit.”
Gjate mbledhjes së komitetit ndërministror të integrimit, ministrja Majlinda Bregu bëri një paraqitje ne detaje te angazhimit te qeverise për t’iu përgjigjur pyetësorit.
Majlinda Bregu: “Për sa i përket pjesës organizative ne mund t’ju garantojmë që sapo ju të keni përfunduar pyetësorin në formatin final ne do të jemi gati, një orë pas dorëzimit ët tij që të fillojmë punën.”/tvklan.al