Kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, është ndalur në Bulqizë ku ka inauguruar nisjen e lotit të parë dhe të dytë të rrugës së Arbrit në segmentin Ura e Vashës-Bulqizë.
Kryeministri e cilësoi këtë arterie rrugore si rrugën e kombit shqiptar që do të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Shkupit me 100 kilometra.
Sali Berisha: “Sot ne ndajmë së bashku gëzimin e inaugurimit të punimeve në një segmenti shumë të rëndësishëm të rrugës tjetër të kombit, që është rruga e Arbrit. Kjo është rruga e kombit shqiptar, është rruga e bashkimit të shqiptarëve me kombe të tjera të rajonit, është rruga që afron Peshkopinë, Bulqizën, Klosin me Tiranën në një kohë 2 herë më të shkurtër se sa koha që u duhet sot. Rruga e Arbrit afron Shkupin me Tiranën, rreth 100 kilometra”.
Dy lotët e para të rrugës së Arbrit që përfshijnë 8 kilometra me parametra bashkëkohore, financohen nga buxheti i shtetit me një vlere prej rreth 1.7 miliardë lekësh.
Kreu i ekzekutivit u ndal edhe tek çështja e varfërisë, duke garantuar se qeveria “do do ta luftojë atë në çdo skaj të këtij vendi”.
Sali Berisha: “Ne këto 4 vite, jemi të vendosur të realizojmë ndryshimin e madh të Shqipërisë. Ne besojmë se vetëm një Shqipëri me infrastrukturë moderne, një Shqipëri e cila lufton për një klimë biznesi, një Shqipëri që instalon revulicionin industrial dhe zhvillon atë me shpejtësi, do mund të punësojë shqiptarët. Në 4 vite ne jemi të vendosur të punësojmë mbi 160 mijë qytetar shqiptarë”.
Këtij qëllimi, tha kryeministri i shërben edhe vijimi investime në infrastrukture.
Sali Berisha: “Një armik i egër mbetet përpara dhe u garantoj ju se kjo është varfëria dhe ne u garantojmë ju se ne do përballemi me mënyrën më të ashpër me të. Ne jemi të vendosur ta luftojmë atë në çdo skaj të këtij vendi”.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për qindra e mijëra qytetarë të Maqedonisë, që këtë verë zgjodhën vendin tonë për kalimin e pushimeve, duke shtuar se vera e ardhshme do e gjeje Shqipërinë me një infrastrukture akoma më cilësore në shërbim të turizmit./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro