14 km rrugë që do të lidhin komunat e Farkës, Petrelës dhe Baldushkut janë investimi më i ri i buxhetit të shtetit me vlerë 500 milion lekë. Krahas planit lokal rruga ka një ndikim më të rëndësishëm në planin kombëtar pasi do të lidhë Tiranë me Elbasanin me një rrugë të re do të shkurtojë distancën më juglindjen dhe jugun e vendit.
Në ceremoninë që inauguron fillimin e këtij segmenti rrugor ajo çfarë nënvizoi kryeministri Sali Berisha në takimin me banorët e zonës ishte pikërisht shkurtimi drastik i distancave.
Sali Berisha: “Do të jetë gjithashtu një nga segmentet në të rëndësishme të boshtit të jugut i cili afroi Tiranën me Sarandën me mbi 110 km. Jam këtu për tu zotuar se fill pas kësaj do të filloj rindërtimi i Baldushk-Papër dhe në këtë mënyrë kompletojmë një aks të ri rrugor midis Tiranës dhe Elbasanit.”
Kryeministri tha se qeveria që drejton i ka kushtuar një vëmendje të veçantë përmisimit të jetës në zonat rurale, rrugët, shkollat, kanalizimet. Përmirësimi i standardeve të jetesës kanë përbërë prioritetin e këtij mandati qeverisës.
Si hap të dytë të rëndësishëm Berisha përmendi barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit.
Sali Berisha: “Gjatë këtyre më pak se 4 viteve ka investuar për rrugët, për shkolla, për ujësjellës, për kanalizime në Baldushk, Farkë, Petrelë dhe mbarë komunat e vendit 1.6 miliard dollar. Kemi dëshmuar qartë se braktisja që u kishte bërë shteti ju ka marrë fund.”
Kryeministri sulmoi ndërkaq programin e PS për bujqësinë duke e cilësuar atë një platformë marksiste, për këtë kreu ekzekutivit dha këtë argumentim.
Sali Berisha: “E dëgjuat programin tjetër, sovranitet ushqimor mora dhe shfletova çfarë ishte sovraniteti ushqimor. Kjo teori ishte formuluar nga disa grupe marksiste leniniste në Brazil, kur kishin organizuar një tubim antiglobal kundër tubimit ndërkombëtar për ti dhënë fund varfërisë. Tani në qoftë se zoti Rama servir platforma të tilla për fermerët e Shqipërisë të harrojë se mund të mashtrojë qoftë dhe një fermer të vetëm. Po ky grup kishte shpikur doktrinën e sovranitetit ushqimor antiglobal, është grupi që vite më parë i kishe dhënë gjysmë … së Edi Ramës … çmimin e ushqimit, ndërkohë kur ju i kishit votat bosh. Ndaj edhe në këto zgjedhje të shkojë të kthjellë të bindur se çdo votë majtas është votë mbrapa. Ju kujtohet ju para 3 vjetësh që dilte ju thoshte po u lexoj … o të dashur miq është dokumenti që ati i shenjtë u lexon besimtarëve dhe nuk ekziston politikan në botë që të flasë për enciklikë përveç Edi Ramës.”
Kryeministri tha i sigurtë se shqiptarët do të dinë të zgjedhin interesat e tyre dhe të vendit të cilat sikurse dhe theksoi përfaqësohen nga qeverisja e djathtë. Edhe në këtë takim kreu i ekzekutivit nuk harroi të ftoj qytetarët të marrin letërnjoftimet e reja si shprehje e vullnetit për zgjedhje me standarde ndërkombëtare./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi