Zona e Myzeqesë ka qenë ndalesa e radhës e kryeministrit Sali Berisha, ku me një agjendë të ngjeshur takimesh ka vizituar disa komuna të rrethit të Lushnjës. Kryeministri ka parë nga afër punimet që kryhen në akse të ndryshme rrugore, si dhe ka marrë pjesë në inaugurimet aty ku punimet kishin përfunduar.
Kreu i qeverisë gjatë inspektimit të rrugës Fier-Shegan, Allka e Krutje me një gjatësi prej 12.7km, ku janë investuar rreth 257.5 milion lekë, ka vlerësuar punën e kryer nga firma ndërtuese duke risjellë në vëmendje faktin që kompanitë e ndërtimit duhet të punojnë me 3 turne në këtë sezon.
Sali Berisha: “Tani duhet të fillojmë të punojmë me 3 turne, se avash-avash më mirë punohet turnin e tretë se sa turnin e parë, më fresk. I kam kërkuar edhe ministrit që të nxjerrë inspektimin në të gjitha rrugët në mënyrë që e praktikojnë në shumë vende, nuk është kjo vetëm një kërkesë e Shqipërisë.”
Në komunën e Karbunarës, kreu i qeverisë ka inspektuar punimet e rrugës së re me gjatësi prej 3.1 km. Ka përuruar ujësjellësin e ri të Zgjanës që do të furnizojë me ujë 7 fshatra, më pas shefi i qeverisë ka përuruar edhe fillimin e punimeve të rrugës që do të lidhë fshatin Allkaj me fshatrat Kadi Pashai dhe Krutja.
Sali Berisha: “Inauguruam një tubacion të ri, të fuqishëm i cili dy-trefishon furnizimin me ujë të 5 komunave të Myzeqesë. Në këtë ujësjellës janë investuar 70 milion lekë.
T’u japim ju infrastrukturën evropiane, ne vërtetë po ndërtojmë autostrada me 4 korsi, por dhe ju, po u bëjmë me rrugë ndërkombëtare me 2 korsi dhe të gjera.”
Në mbyllje të vizitës së tij kryeministri në Kruti zhvilloi edhe takimin me banorët si pjesë e turit “Shqipëria në NATO”.
Sali Berisha: “Investimet tona në rrugët e kësaj zone janë rreth 500 milion lekë. Ne kemi dyfishuar grandin për bujqësi nga 500 milion në 1 miliard, vitin që vjen do ta bëjmë 2 miliard. Këtë vit sërish ne do të bëjmë një rritje të ndjeshme pensioneve të fshatit, të qytetit në mbarë Shqipërinë.”
Berisha sërish ka premtuar se do të bëjë të gjitha përpjekjet që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë e pa viza tashëm që Shqipëria ka marrë edhe ftesën për anëtarësim./tvklan.al