Me të njëjtat akuza sikundër në 2024-ën, Sali Berisha i është rikthyer Kryeministrit Rama edhe në nisje të vitit të ri.

Luftën e kundërshtarit të tij politik ndaj rrjeteve sociale e sheh jo vetëm si një akt censure ndaj opozitës, por edhe si një betejë me mullinjtë e erës, duke e krahasuar kreun e qeverisë me një ndër personazhet e Migel Servantes.

Të dashur miq, Edi Rama përsëri shpërtheu në urrejtje kundër mediave sociale. Ai u tha shqiptarëve se ju bukë nuk keni dhe Facebook keni. Domethënë problemi i tij nuk ishte se nuk kishin bukë shqiptarë, problemi i madh ishte Facebook-u i tyre me ët cilin ata e kritikojnë dhe këtë ai nuk e duron dot. Por lufta me rrjetet sociale e Edi Ramës është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Ai do e humbasë këtë betejë”, tha Berisha.

Më herët, Berisha ka reaguar edhe për vendimin e marrë nga qeveria lidhur me mbylljen për një vit të TikTok në vendin tonë, duke deklaruar se vendimi i parë që do të marrë pas ardhjes së demokratëve në pushtet do jetë hapja e aplikacionit.

Sipas kreut të opozitës nisma e ndërmarrë nga Kryeministri Rama synon të godasë fjalën e lirë, pasi sondazhet thotë ai flasin për një rritje të audiencës së Partisë Demokratike në rrjetet sociale.

Tv Klan