Në mbledhjen e qeverisë ku paraqiti pikat e forta të projektbuxhetit afatmesëm 2010-2012, kryeministri Sali Berisha ironizoi kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.
Berisha iu referua një takimi politik të Ramës në komunën e Parisit, një thirrje derë më derë e banorëve nga kryesocialisti për protestën e 20 Nëntorit.
Kryeministri Berisha tha se qëndrime të tilla nuk i shërbejnë vendit duke kujtuar marrëdhënien e re me BE për shkak të shqyrtimit të kërkesës për vend kandidat apo dhe hapjen e dritës jeshile për liberalizimin e vizave në mesin e vitit 2010.
Sali Berisha: “Edhe njëherë gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim. T’i lëri praktikat të cilat i ka gjetur vetë si pemë pa kokrra, po më rikujton mitingun e datës 4 prill. Kur vendi anëtarësohej në NATO bëhej miting proteste. Në vend që të festojmë siç e ftova të dalim së bashku ta mbështesin këtë akt shpërndan trakte te Komuna e Parisit. Po nuk është kjo mor zotëri, roli që duhet të luash në këtë shoqëri. Komuna e Parisit është arkivuar në histori. … e me gjithë të tjerët, lëre tani është periudha ideale evropiane dhe nuk ka ideale më të dëshiruara për çdo qytetar shqiptar, nuk mund të nxish në festë. Kjo është festë, si hapja, si vendimi po ashtu dhe mesazhi i qartë për liberalizimin e vizave që u dha dje në mbledhjen e ministrave të brendshëm dhe nga zëvendës presidenti i Komisionit, Barrot.”
Duke folur mbi projektbuxhetit afatmesëm Berisha tha se fale tij do te sigurohet transformimi i thellë i vendit. Garantohet gjithashtu mbështetje e fuqishme për konsolidimin e institucioneve të pavarura.
Sali Berisha: “Buxheti do mbështesë fuqishëm çdo kërkesë që vjedh nga procesi i anëtarësimit ët Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ambicia jonë është e madhe. Të parakalojmë disa vende anëtare të BE gjatë këtij mandati. Sepse tjetri mesa duket do të jetë i anëtarësimit përfundimtar.”
Infrastruktura rrugore do të ketë prioritet absolut. Kryeministri përmendi rrugën e Arbrit së bashku me tunelin e saj prej 3.7 km, por edhe rrugën Tiranë- Elbasan, ndërtimi i së cilës parashikon gjithashtu edhe një tunel.
Sali Berisha: “Në qoftë se bën një referendum në Elbasan për infrastrukturën, 1 kërkesën e parë do të bënin tunelin. Ne do ta bëjmë tunelin. Përfundon projekti brenda 2 muajve nga një kompani ndër më seriozet e kontraktuara nga Komisioni Evropian, ndërkohë dua tu informoj ju se janë bërë përpjekje shumë serioze për financimet dhe është në rrugë të mbarë. Janë garantuar plotësisht paratë e tunelit, madje zoti Ministër i Financave do të detyrohemi ta modifikojmë këtë buxhet se akoma nuk janë trupëzuar në të. Natyrisht kjo rrugë, kjo autostradë e cila i shërben të gjithë jugut dhe juglindjes së Shqipërisë do përfundojë brenda këtij mandati.”
Kryeministri theksoi se ky do të jetë buxheti i ndërtimit të boshtit rrugor të jugut, i rritjes së pagave dhe pensioneve.
Projektbuxheti synon ruajtjen stabël të kuadrit makroekonomik të vendit. Një ndër vendimet që parashikoi mbledhja e qeverisë ishte dhe ai për legalizimin e 5 mijë banesave në Kamzë.
Sali Berisha: “ Duke mbyllur në këtë mënyrë legalizimin në një qytet të dytë të madh të krijuar gjatë këtyre viteve siç është bashkia e Kamzës. Dua ta ritheksoj edhe një herë se agjencia e legalizimeve ja ka dalë të inkasojë, të mbledhë gjer tani 9 milion euro të cilat po jua shpërndan ish pronarëve të trojeve të zëna nga ndërtimet ilegale.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi