Sali Berisha zhvilloi një takim me demokratët në Degën 5 në Tiranë. Ai theksoi se Partinë Demokratike u përpoqën ta përçajnë, por sot janë të bashkuar.

Sipas tij, demokratët po përcjellin në banesën e fundit të politikës, Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës falë qëndresës së tyre. Në zgjedhjet e ardhshme, sipas Berishës, do të përcillet edhe kryeministri i vendit, Edi Rama.

“Faktikisht ju e varët atë në shtyllën kombëtare të turpit, e ndrytë atë në sallën e turpit kombëtar. Tani ai është një kufomë e pakallur, por merita është e qytetarëve, e demokrateve dhe demokratëve, që nuk u ndalët për 40 javë dhe i korrespondon si me qenë të 40-tat e Erion Veliajt. Por ju garantoj unë ju, se pa atë sakrificë tuajën të përjavshme, pa atë protestën tuaj të përjavshme, Erion Veliaj do ishte duke ju thënë qytetarëve të Tiranës, se mbolla 1 mln pemë dhe tani do të vjedh milionin e dytë, nuk do ti hynte ferra në këmbë. Prandaj dhe ju realizuat objektiva të mëdha me qëndresën tuaj, me protestën tuaj, e bëtë të pamundurën të mundshme. Ja ku jemi ne sot, jemi të bashkuar, jemi me flamurin e PD, ja ku jemi sot, po e përcjellim për në banesën e fundit të politikës, jo të jetës se atë e ka i gjithëfuqishmi, s’e kemi ne, Erion Velinë dhe do përcjellim Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Edhe kjo është një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha komentoi edhe foton e Belind Këlliçit me presidentin Donald Trump duke zbuluar si e arriti ai diçka të tillë.

“Për ta zhurmuar sado pak gozhdimin që ky i bëri Erion Velisë e thirrën për ta pyetur për shpifjet e Erion Velisë meqenëse Erioni vetë thonë që s’ka diplomë edhe Belindi s’duhet të ketë diplomë, në një kohë kur Belindi ka diplomën më të shkëlqyer të atij universiteti që ka studiuar. Meqenëse për Ramën janë dënuar 2 qytetarë amerikanë për foton me 70 mijë Euro, tani nga doli fotoja me Presidentin Donald Trump, e Belind Këlliçit. Në fakt ajo foto është meritë e tij sepse është bërë pa asnjë qindarkë është bërë në sajë të vullnetarizmit që Belind Këlliçi me guxim ndërmori për të bindur shqiptarët për të votuar Donald Trump në Michigan”, tha Berisha./tvklan.al