Për rreth dy orë, Belind Këlliçci, drejtuesi politik i PD për Tiranën u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK në lidhje me denoncimin e bërë në adresë të tij për diplomën e shkollës së të mesme “Harry Fultz”.
Pas daljes nga SPAK, ish-kandidati i opozitës për kreun e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e fundit lokale, mohoi që ta ketë falsifikuar diplomën e shkollës së mesme.
“Nuk jam një person anonim që nuk me njeh askush. Mund të shkoni të shikoni dëftesën e 8-vjeçares dhe të shkollës së mesme dhe të kuptoni se kush është Belind Këlliçi. Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës sime”.
Për Këlliçin, thirrja e tij lidhet me akuzat dhe paditë që ka bërë ndaj inceneratorit të Tiranës. Teksa theksoi se është pyetur edhe për disa çështje të tjera.
“Një nga krenaritë e mia të jetës është që kam denoncuar korrupsionin që ndodh çdo ditë në Bashkinë e Tiranës. Më kanë kërkuar të ruaj sekretin hetimor. Për çdo gjë më kanë pyetur, edhe për foton me Trump, meqë është thënë në media se kam paguar dhjetëra mijëra dollarë. Më pyetën për partneren time, megjithëse unë nuk bashkëjetoj me të”.
Ai theksoi se është i gatshëm të përballet me akuzat me çdo person ballë për ballë dhe se nuk do të intimidohet në rrugëtimin e tij për të bërë drejtësi.
Tv Klan