Fushë-Kruja ka qenë ndalesa e radhës e turit elektoral të kryeministrit Berisha. Para banoreve të këtij qyteti, kreu i ekzekutivit rreshtoi premtimet e mbajtura gjate mandatit qeverisës, njëkohësisht bëri të ditura edhe sfidat të cilat do të kthehen në realitet gjatë 4 viteve në vijim falë votave të shqiptarëve.

Sali Berisha: “Ne që nxorëm nga varfëria 400 mijë shqiptarë, ne që punësuam gjatë 4 viteve mbi 80 mijë qytetarë shqiptarë, do punësojmë së paku 160 mijë shqiptarë. Shqipëria evropiane fillon nga letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Prandaj ju ftoj ju, ata që s’kanë marrë akoma t’i merrni ato.”

Kryeministri tha, se infrastruktura rrugore do të vijojë të mbetet prioritet i qeverisë për të mundësuar krijimin e rrjetit më të ri e modern në Europë.

Sali Berisha: “Katër vite më parë në këtë shesh ju kam premtuar ju se qeveria do ra shndërrojë Fushë Krujën në një lagje të kryeqytetit të vendit. Sot Fushë Kruja, jo vetëm qyteti, por dhe fshatrat i kanë të gjitha rrugët e asfaltuara. Gjatë 4 viteve që vijnë do të asfaltojmë të gjitha rrugët e Fushë Krujës dhe mbarë Shqipërisë. Shqipëria në punë do të jetë motoja jonë.

Kryeministri Berisha duke kërkua votat për 28 qershorin nuk harroi të vlerësojë mikpritjen e banorëve të Fushë Krujës ndaj vizitës historike të ish presidentit Bush, duke dënuar sërish historinë e fabrikuar për vjedhjen e orës.

Sali Berisha: “Këtu në Fushë Krujë u bë historia. Erdhi për t’u takuar me ju Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t’ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-ve, rast unik  në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur. Asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro